Ndryshime të reja ligjore edhe për taksistët

0

Taksitë e licencuar do të kenë tabela të reja me ngjyrë të verdhë, që do i bëjë ata të dallohen nga taksitë që nuk janë të licencuar. Kjo parashihet në propozimet e reja ligjore që i ka përgatitur Ministria e Ekonomisë në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe shoqatën e taksistëve, të cilat propozime tashmë janë dërguar në Kuvend. Mes tjerash, siç bëri të ditur ministri i ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, të gjitha veturat do të kategorizohen sipas asaj se sa e ndotin ambientin, duke mbajtur etiketë me ngjyra të ndryshme.

“Në kuadër të këtij ligji, të gjitha veturat do të kategorizohen sipas asaj se cilat kushte ekologjike i plotësojnë. Është paraparë etiketë me ngjyrë të gjelbërt, ngjyrë të verdhë, por njëkohësisht edhe me ngjyrë të kuqe. Është paraparë edhe një program, të cilin vitin e ardhshëm do ta sjellë ministria e ekonomisë, program ku ne do të mbështesim financiarisht të gjithë të interesuarit të cilët do të kenë për qëllim të blejnë vetura elektrike”, theksoi ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi.

Ndër masat e përfshira në këtë ligj, siç njofton ministri i Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, është heqja e etiketave të vendosura në veturë për të treguar nëse automjeti është i regjistruar. Nga propozimet e reja ligjore, kanë mbetur të kënaqur edhe taksistat. Kryetari i shoqatës së taksistëve Abdulla Rashiti thotë se në këtë mënyrë edhe për qytetarët do ta kenë më të lehtë që të njohin se cilat taksi janë të licencuara dhe cilat jo./Shenja.tv