Ndryshimet kushtetuese, Kuvendi do të punojë edhe gjatë fundjavës

0

Gjatë fundjavës do të shqyrtohen draft-amendamentet e mbetura për ndryshimet kushtetuese. Shërbimet e ligjvënësit konfirmojnë se kjo bëhet me qëllim që sa më shpejtë të shqyrtohen draftet dhe tekstet të vihen në debat publik.

Hyrja e Preambulës nuk duhet ta bëjë dikënd që të ndjehet qiraxhi në shtëpinë e tij. Kështu është shprehur kreu i Aleancës për Shqiptarët, Zijadin Sela, gjatë debatit në komisionin për çështje kushtetuese. Sela kërkon që Maqedonia në Preambulë të definohet si shtet multietnik dhe gjuha shqipe të definohet në Kushtetutë si gjuhë shqipe dhe jo si gjuhë që e flasin pjestarët e bashkësisë që përbëjnë 20 përqindëshin dhe që është e ndryshme nga gjuha maqedonase. Sela theksoi se vetëm kjo gjë do ta bënte më të drejtë Maqedoninë e së ardhmes dhe do të përfaqësonte njësoj të gjithë qytetarët.
Lidhur me ndryshimet që do të duhej të bëheshin në Preambulë, Sela, propozi që në Preambulë të fshihet pjesa ‘si dhe qytetarët që jetojnë në kufinjtë e saj, e që janë pjesë të popullit shqiptar’, domethënë menjëherë pas popullit maqedon të vazhdojë, ‘populli shqiptar, populli vllah, turk, sërb, romë, boshnjak dhe të tjerët.’

Kryeministri Zoran Zaev gjatë replikës së tij, theksoi se të gjithë, përfshirë edhe vetë atë, dëshirojnë një shtet ku qytetarët janë të barabartë. Për Zaevin është e qartë se fjala ‘që jetojnë brenda kufinjëve’ paraqet ndjenjë të pakëndshme për shkak se tingëllon si diçka e përkohëshme, megjithatë ai sqaron se barazi të plotë nuk mund të ketë për shkak të ekzistencës së shteteve nacionale.
Ndërkaq lidhur me përdorimin e gjuhës shqipe ligjërisht dhe formalisht nuk mund të diskutohet, pasi siç sqaroi ai, nuk janë të hapura ato amendamente kushtetuese dhe se po diskutohet për amendamentin 34, gjëgjësisht preambulën. Por e menjëhershme ka qenë kundër replika e Selës, i cili i kujtoi Zaevit se me ndryshimin e emrit, Kushtetuta megjithatë do të pësojë ndryshime në 51 nene.