Parlamenti i Maqedonisë Veriore sot në ora 11:00 do të filloj seancën ku do të diskutohet për ndryshimet kushtetuese. Për ndryshimin e kushtetutës nevojiten 80 deputetë nga gjithsejtë 120 sa numëron Parlamenti.
Ndryshimet kushtetuese parashohin përfshirjen e pakicave bullgare, kroate, hebreje, malazeze dhe egjiptiane në Preambulën e Kushtetutës. Ndërkaq, nuk do të diskutohet për heqjen e formulimit 20% për shqiptarët në Kushtetutë.
Nga Qeveria thonë se ky është shansi i fundit që opozita t’i bashkohet bllokut pro-evropian. Pa ndryshime, vendi nuk do të përparojë drejt BE-së.
Opozita maqedonase nuk i mbështet dhe e sheh zgjidhjen në zgjedhje të parakohshme parlamentare.
Partitë shqiptare në opozitë, ndërkohë, kërkuan që ndryshimet kushtetuese të përfshijnë edhe ndryshimin e përkufizimit të gjuhës shqipe, e cila njihet si gjuhë që e flasin 20 për qind e popullsisë.
Drejtuesit dhe përfaqësuesit e partive Lëvizja BESA, AlternAtivA dhe Lëvizja Demokratike, kërkojnë të vendosen në procedur për votim edhe amendamentet për heqjen e emërtimit ofendues “20%” për gjuhën shqipe, si dhe amendamentin kundër vjetrimit të lëndëve të korrupsionit politik.
Sipas tyre, nëse nuk ekziston shumica për votimin e ndryshimeve kushtetuese vendi duhet të shkoj në zgjedhje të reja.
“Në atë rast, pra nëse nuk ka shumicë të mjaftueshme për ta votuar fazën e parë të ndryshimeve kushtetuese, bëjmë thirrje që të votojmë për shpërbërje të parlamentit dhe shpallje të zgjedhjeve të parakohshme, në mënyrë që të kërkohet një përbërje tjetër parlamentare që do të ketë kapacitet dhe vullnet politik që t’i shtyjë proceset integruese drejt Bashkimit Europian”, theksuar përfaqësuesit e këtyre partive.
Profesori dhe analisti Metush Sulejmani thotë për agjencinë e lajmeve INA se shqiptarët nuk po përfitojnë asgjë nga ndryshimet kushtetuese. “Parashtrohet pyetja: Cila do jetë përmbajtja e këtyre ndryshimeve kushtetuese dhe a do jenë të kënaqur të gjitha entitetet nga këto ndryshime?
Ajo që më intereson mua dhe popullit shqiptar në Maqedoninë e Veriut është fakti se nga këto ndryshime kushtetuese a do të përfitojmë edhe ne, sepse, për ata që nuk e dijnë, mund të them se shqiptarët janë një faktor tepër i rëndsishëm për funksionimin e proceseve politike dhe ardhmërinë e vendit.
Në blokun politik shqiptar ka mendime pro dhe kundër këtyre ndryshimeve që është një dukuri për analiza antropologjiko-politike të metejme”, thekson Sulejmani.
Ai thekson se, fatkeqësisht ka edhe funksionar shqiptar që janë për mosëheqjen e 20% dhe mospërfshirjen e shqiptarëve në këto ndryshime kushtetuese, duke u arsyetuar se tani nuk është koha për këto ndryshime!!!
“Atëherë, kurë na qenka ajo kohë? Kushtetuta nuk hapet për çdo vitë prandaj tani është koha që të shfrytëzohet rasti. Jamë shumë i vetëdijshëm se pala maqedonase, qoftë pozita apo opozita, nuk do të pranojnë që të ndryshohet kushtetuta në favor të shqiptarëve.Këtë fenomen e ka vërtetuar koha, qoftë në sisitemin monist apo edhe në demokracinë e tanishme parlamentare”, shprehet ai. (INA)