Ndryshimet kushtetuese, pas referendumit

0

Kryeministri Zoran Zaev paralajmëroi se menjëherë pas referendumit të 30 shtatorit do të nisin përgatitjet për ndryshimet kushtetuese, ku do të figurojë edhe emri i ri i shtetit Republika e Maqedonisë së Veriut. Sipas të parit të organit ekzekutiv, ndryshime do të ketë edhe në preambulë. Zaev vlerëson se tani nuk është ambienti për t’i shpalosur amendamentet për shkak se të njëjtit mund të ndikojnë ndaj procesit të referendumit.

Ndryshime do të ketë në nenin 3, 49 dhe në preambulë. Në preambulë parashikohen vetëm përforcimet e vendimeve të ASNOM-it, si vendime për liri, demokraci, unitet i të gjithë qytetarëve të Maqedonisë. Çdo kund ku shkruan Republika e Maqedonisë do të bëhet Republika e Maqedonisë së Veriut. Gjithkund ku shkruan maqedonase do të mbetet e tillë por edhe shqiptare, turke, rome etj. Ndryshimet janë shumë logjike- deklaroi Zoran Zaev.

Për miratimin e të gjitha ndryshimeve nevojiten mbi 100 ditë.

Sapo të përfundojë referendumi dhe të shpallen rezultatet, komisionet parlamentare menjëherë do t’i publikojnë ndryshimet Kushtetuese. E dini se fillimisht votohet me 2/3, pastaj ka debat 30 ditorë. Përsëri votim me shumë të thjeshtë, përsëri debat dhe në fund votohet përsëri me 2/3. Sipas parashikimeve tona do të duhen diku rreth 106 ditë. Ky është procesi që e presim pas referendumit dhe sigurisht në fund votimi në Parlamentin grek i cili për mua dëshmon punë të garantuar nga Greqia dhe si përfundim zbatim të marrëveshjes miqësore që e kemi arritur- shtoi Zaev.

Zaev nuk deshi të komentojë nismat për shfuqizimin e referendumit dhe marrëveshjes së Prespës në Gjykatën Kushtetuese. Organi më i lartë gjyqësor javën e ardhshme do të shqyrtojë 3 nismat qytetare si të grupuara në një./alsat