Ndryshimet kushtetuese prej nesër hyjnë në procedurë parlamentare në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut.
Sipas rregullores, debati do të fillojë në Komisionin për Çështje Kushtetuese të kryesuar nga kryeparlamentari Talat Xhaferi dhe diskutimi atje mund të zgjasë maksimumi dhjetë ditë, përcjell INA.
Anëtarët e komisionit mund të flasin disa herë gjatë seancës, por prezantimet e tyre janë të kufizuara në 20 minuta në total.
Me përjashtim të propozuesit të ndryshimeve dhe koordinatorëve, të cilët kanë të drejtë procedurale për të debatuar gjithsej 30 minuta.
Kuvendi tashmë ka bërë me dije se presin që diskutimi në komision të përfundojë nga data 7 deri më 9 gusht, duke qenë se 2 gushti është ditë jopune dhe seanca për çështjet parlamentare tashmë është caktuar për 27 korrik.
Pas kësaj, nisma e propozuar kalon në seancën plenare, e cila tashmë është caktuar për 18 gusht. Votimi i parë, i cili do të kërkojë mbështetjen e dy të tretave të deputetëve, sipas afateve procedurale, duhet të bëhet më 28 gusht, por sipas njoftimeve të qeverisë është thuajse e sigurt se do të zgjatet. Pritshmëritë e presidentit të shtetit Pendarovski është që votimi të bëhet në fund të shtatorit.
Përveç amendamenteve në Preambulë, ku në seksionin e kombeve i shtohen gjashtë kombe, duke përfshirë atë bullgar, ndryshimet në Kushtetutë parashikojnë që e njëjta të shtohet edhe në nenin që ka të bëjë me kujdesin për diasporën, si dhe në nenin për Komitetin për marrëdhënie ndërmjet bashkësive.(INA)