Tetovë, 4 nëntor – Se çka do të ndodhë, do të presim të kalojnë gjashtë muaj. Kështu është përgjigjur ministri për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani nëse do të qëndrojë në Qeveri koalicioni VLEN edhe pas gjashtë muajve nëse nuk miratohen ndryshimet kushtetuese. “Ne mendojmë se ende jemi brenda periudhës gjashtë mujore dhe përderisa nuk ka skaduar ky afat, nuk e shohim arsye për komente shtesë. Siç e dini, pas vizitës së kryetares së Komisionit Evropian, Von der Leyen, ka një shpresë më të theksuar për një zgjidhje potenciale dhe ajo që duhet të bëjmë është që të mos flasim, por të punojmë për zgjidhje. Çka nëse ndodhin ndryshimet kushtetuese – do të shohim kur të kalojnë gjashtë muaj”, deklaroi ministri Murtezani.
Këto komente janë bërë gjatë vizitës së ministrit për Çështje Evropiane, Orhan Murtezani në Komunën e Tetovës ku është takuar me kryetarin e Komunës së Tetovës, Bilall Kasami. Sipas Kasamit, Komuna e Tetovës tashmë ka pesë projekte që janë në zhvillim e sipër dhe ka aplikuar edhe me disa projekte tjera në vazhdim.
“Janë pesë projekte që janë në zhvillim e sipër, ai kryesori është filtër-stacioni për ujërat e zeza dhe për momentin janë aplikimet për IPA fondet për bashkëpunim ndërkufitar me Shqipërinë dhe Kosovën, dhe me ministrin folëm të bashkëpunojnë që sa më mirë të kalojmë me aplikimet e këtyre projekteve dhe të përfitojmë sa më shumë mjete. Me Kosovën do të aplikojmë për projekt që ka të bëjë në fushën e ekologjisë, me Shqipërinë kemi aplikuar tashmë, presim rezultatet e miratimit ose jo, në ditët në vijim është afati i dytë i aplikimit, do të shohim se nëse kemi refuzime për projektet e afatit të parë, shohim mundësinë për të aplikuar sërish dhe nëse ka nevojë – do të ketë mbështetje edhe nga Ministria për Çështje Evropiane, sepse deri më tani kjo ministri nuk ka qenë në krah të Komunës së Tetovës për të asistuar dhe ndihmuar për të thithur sa më shumë fonde dhe mjete”, deklaroi Kasami.
Ministri Murtezani tha se krahas ndihmës për komunat për të arritur sa më lehtë tek fondet ndërkombëtare, po ashtu do të vihet në funksion edhe Qendra për trajnime, e cila do të ndihmojë komunat për përforcimin e kapaciteteve dhe ndaljes së praktikës së deritanishme të fondeve. Sipas tij, vetëm tre vitet e fundit, Maqedonia e Veriut ka humbur mbi 120 milionë euro fonde IPA. Ai tha se problemi është gjithandej nëpër komuna pasi ka kapacitete të ulëta që mjetet e IPA fondeve të absorbohen.
“Në përgjithësi, të gjitha komunat në Maqedoninë e Veriut e kanë të njëjtin problem, varësisht se cila komunë më shumë e cila komunë më pak. Nga përvoja mund të flas se mungesa e kuadrit profesional për t’i përcjellë thirrjet, pasi dihet të gjitha thirrjet e Bashkimit Evropian, të delegacionit të BE-së, janë të lidhura me data dhe procedurave fikse prandaj, të cilët duhet të përcillen në vazhdimësi dhe të punohen në mënyrë profesionale”, deklaroi Murtezani. Edhe Kasami edhe Murtezani janë zotuar se do të punojnë më shumë që të thithen sa më shumë fonde qoftë nga Bashkimi Evropian qoftë nga qeveria dhe kryesisht janë projekte infrastrukturore. (koha.mk)