Nga Ministria e Punëve të Brendshme njoftojnë se në Prokurori kanë parashtruar kallëzim penal ndaj punonjësit të MPB-së me iniciale F.M., përcjell TV21. I njëjti dyshohet për “punë të papërgjegjshme në shërbim”, deri sa po punonte në një pikë për kontroll teknik në Saraj.
“I raportuari F.M. në cilësinë e zyrtarit të autorizuar për punë administrative i punësuar në Departamentin për Çështje Administrative – Shkup, si zyrtar i caktuar në stacionin e kontrollit teknik në Saraj, në sistemin elektronik të Ministrisë së Punëve të Brendshme përmes aplikacionit për shtypje të lejeve të qarkullimit, ka bërë ndryshimin e pronësisë së automjetit “Audi A5” dhe i ka lëshuar leje qarkullimit një personi që nuk është pronar i automjetit pa plotësuar kushtet e regjistrimit, në bazë të një kërkese që nuk është paraqitur personalisht nga pronari i automjetin dhe pa dëshmi të besueshme të pronësisë së automjetit, gjë që është në kundërshtim me nenin 31 të Ligjit për Automjete”, thonë nga MPB./tv21.tv