Ndryshon ligji për pronarët përfitues, shkak reagimi i ulët i subjekteve, shtyhen afatet

Në vitin 2020 qeveria miratoi ligjin “Për regjistrin e pronarëve përfitues” i cili detyronte bizneset që të bënin regjistrimin e pronarëve përfitues në Regjistrin e Pronarëve Përfitues brenda një afati që fillimisht ishte qershori i vitit të shkuar dhe më pas marsi i këtij viti.

Por tashmë qeveria ka vendosur të rishikojë sërish ligjin në disa pika duke tentuar kështu të detyrojë subjektet të përmbushin detyrimin pas konstatimit se vetëm 1/3 e tyre e kanë bërë këtë. Reflektimi me një draft të ri vjen edhe pas kritikave të bëra më herët nga raportet e organizmave ndërkombëtarë si FAFT dhe Moneyval se kuadri ligjor sa i takon parandalimit të pastrimit të parave kishte ende mangësi. Vetë qeveria pranon në relacion se ndryshimet po bëhen për të rregulluar situatën.

“Me qëllim rregullimin e kësaj situate dhe zbatimin e rekomandimeve të ekspertëve të MONEYVAL, të cilët kërkojnë që Shqipëria të krijojë mekanizma që të sigurojnë një numër sa më të lartë të subjekteve raportuese që regjistrojnë të dhënat e pronarëve të tyre përfitues, u vlerësua ndërmarrja e disa shtesave dhe ndryshimeve në ligjin ekzistues nr.112/2020, “Për regjistrin e pronarëve përfitues”, i ndryshuar” pranon qeveria në relacion.

Të paktën tetë janë ndryshimet që përfshihen në draftin e bërë publik.

-Së pari mundësohet popullimi automatik të regjistrit të pronarëve përfitues nga Qendra Kombëtare e Biznesit për subjektet raportuese që kanë pronësi direkte, duke ju referuar gjendjes se ortakërisë të regjistruar në regjistrin tregtar për subjektet raportuese me pronësi direkte.

-Së dyti shtyrje e afatit për raportimin fillestar të pronarëve përfitues nga subjektet raportuese ekzistuese me pronësi indirekte të regjistruara në regjistrin tregtar dhe nga Organizatat Jofitimprurëse, deri më datë 01.04.2022.

-Së treti styrjen e afatit për raportimin fillestar të pronarëve përfitues nga subjektet raportuese që regjistrohen rishtazi, nga brenda 30 ditëve kalendarike nga data e regjistrimit të subjekteve raportuese, në brenda 40 ditëve kalendarike nga data e regjistrimit të subjekteve raportuese.

-Së katërti faljen e gjobave të vendosura nga QKB-ja përpara hyrjes në fuqi të projektligjit, në lidhje me mos përmbushjen e detyrimit për raportimin fillestar të pronarëve përfitues nga subjektet raportuese, me kusht që raportimi të kryhet prej tyre deri më datë 01.04.2022.

-Së pesti përshkallëzimin e masës së kundërvajtjeve administrative që do të vendosen në vijim të hyrjes në fuqi të projektligjit, mbi bazën e vonesës në përmbushjen e detyrimit të raportimit fillestar të pronarëve përfitues nga subjektet raportuese që regjistrohen rishtazi.

-Së gjashti parashikimin e procedurës së pezullimit të aplikimit për një afat 30 ditor, në rast të aplikimeve të paplota.

-Së shtati heqjen e gjobës për administratorin në rastin e mosregjistrimit të të dhënave të pronarëve përfitues të subjekteve raportuese brenda afatit ligjor, dhe përfshirja e vlerës së kësaj gjobe në gjobat e vendosura ndaj subjekteve raportuese.

-Së teti lejimi i ofrimit të shërbimit të ndryshimit/riemërimit të administratorit ose të përfaqësuesit ligjor të subjekteve raportuese në rastet kur ndaj subjekteve raportuese është vendosur gjobë dhe është ndërprerë shërbimi në regjistrin tregtar dhe në Regjistrin e Organizatave Jo fitimprurëse.

Shifrat zyrtare të regjistrit dhe ata që mbeten jashtë tij

Në relacionin e projektligjit jepen në detaj edhe shifrat sa i takon subjekteve që kanë bërë regjistrimin dhe atyre që ende mbeten jashtë tij.

“Nga analizimi i të dhënave të regjistruara në Regjistrin e Pronarëve Përfitues, rezulton se nga 59165 subjekte raportuese ekzistuese të regjistruara në Regjistrin Tregtar përpara datës së krijimit të Regjistrit të Pronarëve Përfitues, prej të cilëve 8689 subjekte me statusin pezulluar, bazuar në VKM nr.273/2021 kanë detyrimin të regjistrojnë pronarin përfitues në regjistrin e pronarit përfitues, përpara kërkesës për ndryshimin e statusit të tyre në regjistrin tregtar, vetëm 21460 subjekte raportuese ekzistuese kanë regjistruar të dhënat e pronarëve të tyre përfitues në regjistër deri më datë 10.11.2021” thuhet në dokument.

Po kështu nga 4861 Organizata Jofitimprurëse ekzistuese të regjistruara në Regjistrin e Organizatave Jofitimprurëse, vetëm 1961 Organizata Jofitimprurëse kanë regjistruar të dhënat e pronarëve të tyre përfitues në regjistër.

Sipas të dhënave nga 2869 subjekte raportuese të krijuara rishtazi pas krijimit të Regjistrit të Pronarëve Përfitues (gjatë periudhës kohore 01.02.2021-10.11.2021), vetëm 1972 subjekte kanë regjistruar të dhënat e pronarëve të tyre përfitues në regjistër brenda 30 ditëve kalendarike nga data e regjistrimit të tyre në regjistrin tregtar.? Monitor