Në 5 vjetorin e UNT, Çairi bëhet shtëpi e 5 universiteteve

Sot në prezencë të krerëve më të lartë shtetërorë, u festua përvjetori i pestë i themelimit të Universitetit “Nënë Tereza”.

Kryeministri i shtetit Zoran Zaev shprehi mbështetjen për investimin e kampusit të ri i cili do të nxë vend në komunën e Çairit kurse, zëvendëskryeministri i parë z. Artan Grubi, përshëndeti dhe përgëzoi kryetarin e Komunës së Çairit, z. Visar Ganiun, për iniciativën e ndërmarr rreth finalizimit të kampusit të UNT-së në Çair.

Kryetari i Komunës së Çairit, Visar Ganiu, pati mundësinë të diskutojë rreth planeve të ndërtimit të objektit të ri të UNT-së. Së fundmi, gjegjësisht, në mbledhjen e 59 Këshilli i Komunës së Çairit miratoi Planin Detal Urbanistik për bllokun 9 nga kuarti i qytetit SSI 03, me të cilin është paraparë ndërtimi i Universitetit “Nënë Tereza” në Komunën e Çairit. Objekti i ri i universitetit do t’i mundësojë studentëve kushte më të mira objektive për studime dhe ky ndërtim njëkohësisht do e shndërroj universitetin e “Nënë Terezës” si universitetin me kampusin më atraktiv në vend dhe rajon.

Duhet potencuar po ashtu se, në Komunën e Çairit gravitojnë 4 kampuse universitare: Universiteti Kirili dhe Metodi – UKIM, Universiteti Ballkanik – IBU, Universiteti i Europës Juglindore – UEJL, dhe Universiteti Nënë Tereza – UNT.