Në Çikago të SHBA-ve kompanitë kosovare të pranishme në panairin “PLMA’s 2019”

0

Është bërë e ditur se Ministria e Tregtisë dhe Industrisë, përmes Agjencisë për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë (KIESA) ka organizuar pjesëmarrjen e kompanive kosovare: “StoneCastle”, “Hit-flores”, “Egi Group” dhe “Kosova Wine” në panairin “PLMA’s 2019 Private Label Trade Show”, që po mbahet në Çikago të SHBA-së, transmeton albinfo.ch. Po ashtu, kompanitë kosovare që nga 16 nëntori janë duke i promovuar produktet e tyre si: verëra dhe raki rrushi, kepurdha të thata, fruta mali, pasta, tornado chips, kikirik, smoki, leter e lagur, qese etj., njëherësh po njihen me trendet e industrisë ndërkombëtare si dhe po realizojnë kontakte me qëllim të bashkëpunimit dhe mundësive për eksport në të ardhmen. Vlen të theksohet se panairi “PLMA’s 2019 Private Label Trade Show”, njihet si një ndër panairet më të rëndësishme në fushën e ushqimit dhe produkteve jo-ushqimore në të cilin po ekspozojnë produktet e tyre më shumë se 1,800 kompani nga 60 vende duke përfshirë 34 pavijone ndërkombëtare. Produktet që po ekspozohen në këtë panair janë: ushqime të freskëta, të ngrira, ushqime të thata e pije, si dhe kategoritë jo-ushqimore, duke përfshirë kozmetikë, shëndetin dhe bukurinë, kuzhinën, kopshtarinë, etj. MTI/KIESA për secilën kompani vendëse ka siguruar hapësirë ekspozuese prej 9m2, që gjenden në: F2046, F2047, F1946, F1947. Panairi mbetet i hapur deri më 20 nëntor 2019 në Rosemont Convention Center në Çikago të SHBA-së. /Albinfo.ch