Në Dibër lindjet përgjysmohen, rritet numri i vdekjeve!

Gjatë vitit 2020, në Komunën e Dibrës ka një ulje drastike të natalitetit, kurse një rritje të dukshme të mortalitetit. Sipas institucioneve kompetente, në nivel lokal – pandemia gjatë vitit të kaluar ka ndikuar si në lindje ashtu edhe në vdekjet e popullatës në Dibër. Sipas udhëheqësit të shërbimit amë në Dibër, Xheladin Trenova, gjatë vitit të kaluar, numri i lindjeve ka qenë vetëm 67, ndërsa krahasuar me vitin 2019, kur numri i lindjeve ka qenë 134, në 2020 kishte një ulje për gati 50 për qind të natalitetit. Po sipas Trenovës, gjatë vitit që kaloi, kishte një rritje të dukshme të mortalitetit. Në vitin 2020 janë regjistruar 121 vdekje, ndërsa një vit më parë (në 2019), vdekjet ishin 113.

“Këto të dhëna janë vetëm për lindjet dhe vdekjet që kanë ndodhur në Komunën e Dibrës. Këto numra u takojnë lindjeve janë realizuar në Spitalin e Dibrës, si dhe lindje të dibranëve që kanë ndodhur jashtë shtetit, por janë regjistruar në shërbimin amë në Dibër. Edhe sa u takon vdekjeve, bëhet fjalë për numër i cili paraqet situatën vetëm për vdekje që kanë ndodhur në Komunën e Dibrës”, tregon Trenova. Duke marrë parasysh se evidentimi i lindjeve dhe i vdekjeve bëhet në vendin ku ka ndodhur vdekja apo lindja, kërkuam të dhëna edhe nga Myftinia e Dibrës. Reshat Kaçallniku , myfti i Dibrës tha se gjatë vitit 2020, vetëm në Dibër janë regjistruar 135 vdekje dhe në krahasim me vitin 2019, numri i vdekjeve është më i madh për 31, meqë në vitin 2019 janë regjistruar 104 vdekje vetëm në Dibër.

Megjithatë, duket se në aspektin e natalitetit, numri sigurisht është më i madh meqë në numrin e shërbimit në fjalë nuk janë theksuar lindjet që nënat dibrane i kanë realizuar në spitalet e qyteteve të tjera. Një pjesë e theksuar e nënave dibrane edhe gjatë vitit të kaluar kanë lindur në Spitalin e Strugës, Tetovës dhe Shkupit. Po ashtu në vitin e pandemisë, në Komunën e Dibrës vërehet një përqindje më e madhe e mortalitetit në krahasim me vitet e tjera. Duke marrë parasysh se për shkak të pandemisë ka patur vdekje të dibranëve në klinikën e Shkupit, atëherë edhe numri i vdekjeve duhet të jetë më i lartë. Nëse bëhet një krahasim me numrin e vdekjeve gjatë vitit 2019 dhe viteve të mëparshme, atëherë përqindja e mortalitetit gjatë vitit të kaluar ka qenë më e madhe për 40 për qind.

Të dhënat për natalitetit ashtu edhe për mortalitetin tregojnë qartë se pandemia dhe virusi i rrezikshëm Kovid-19 kanë ndikuar drejtpërdrejt në uljen apo rritjen e tyre. Afër 30 persona në Komunën e Dibrës kanë humbur betejën me koronavirusin. (koha.mk)