Në fund të muajit priten sasi të mëdha të vaksinave

Në poliklinikën “Jane Sandanski” filloi dje vaksinimi me vaksinën ruse “Sputnik V”. Deri dje pasdite janë vaksinuar rreth 180 persona. Në të njëjtën kohë, vazhdoi rivaksinimi me vaksinat Fajzer. Ndërkohë, 913 raste të reja me kovid-19 janë regjistruar dje nga 3.707 teste të kryera. Gjashtëmbëdhjetë njerëz vdiqën dhe 351 pacientë janë shëruar.

Në repartet infektive në vend mjekohen 917 pacientë me Kovid-19 dhe ka rreth 290 shtretër të lirë spitali në kovid qendrat, kumtoi Ministria e Shëndetësisë.

Gjithsej deri dje në vend janë kryer 551.917 teste. Numri i përgjithshëm i personave të diagnostikuar me Kovid në vend që nga fillimi i epidemisë është 109.262. Numri i pacientëve të shëruar është 96.173, numri i vdekjeve 3.244 dhe numri i rasteve aktive është 9.845.

Deri më tani, 8.000 vaksina Fajzer kanë mbërritur në vend si donacion nga Serbia dhe 3,000 vaksina ruse Sputnik V.

Kompania “Fajzer-Biontek” në 2021 do të dorëzojë 800.280 doza vaksinash në Maqedoninë e Veriut, dhe shpërndarja do të bëhet në katër kuartale. Dorëzimi i parë do të bëhet këtë muaj, gjatë të cilit do të shpërndahen 21.060 doza të vaksinave.

Doza e dytë e vaksinave ruse do të mbërrinte në vend më së voni për tre javë, por flitet intensivisht për arritjen në sasi më të mëdha nga sa ishte planifikuar fillimisht. Nga “Sputnik V” janë porositur 200,000 doza.

Kryeministri Zaev tha dje se vendi ka porositur rreth 2 milionë e 350 mijë vaksina dhe se pritet që sasi më të mëdha të fillojnë të mbërrijnë deri në fund të këtij muaji.

“Nëse është një vlerësim për një milion qytetarë që do të vaksinohen në vend, kjo do të thotë 2.000.000 vaksina, për momentin ne kemi paguar 2.350.000 vaksina së bashku me ato 800.000 të porositura nga “Fajzer”, 800.000 të porositura nga “mekanizmi Kovaks”, 200.000 i kemi nga Kina, 200.000 nga “Sputnik V”, si dhe kemi edhe 250.000 shtesë nga BE-ja, të gjitha kur i grumbulloni vijnë 2.350.000 dhe ne presim që ata të arrijnë së shpejti”, tha kryeministri.

Deri dje, 130.463 qytetarë kanë paraqitur për vaksinim kundër Kovid-19, nga të cilët 76.990 përmes uebfaqes vakcinacija.mk, dhe 53.473 përmes mjekëve të familjes. Nga numri i përgjithshëm i regjistruar për vaksinim, 61.908 qytetarë janë mbi 70 vjeç.