Në Gjakovë sot protestohet për vrasjen e nënës me të bijën

0

Shoqëria Civile e Gjakovës në përkrahje nga Rrjeti i Grave të Kosovës, në ora 11:00 marshojnë prej Parkut të Qytetit deri tek Çarshia e vogël për të kundërshtuar vrasjen e gruas 40 vjeçare dhe vajzës së saj, në Brekoc të Gjakovës, dhe për të kërkuar përgjegjësi nga institucionet e Kosovës për këtë dhe shumë raste të tjera të dhunës në Kosovë.

“Individ e aktivistë/e nga shoqëria civile, të bashkuar/a kërkojmë t’i japim fund dhunës dhe t’u themi të gjitha institucioneve në Kosovë dhe shoqërisë kosovare kundërshtimin tonë me një fjali të vetme: Mjaft më me arsyetime!”, thuhet në thirrjen e organizatorëve.

Kjo protestë është organizuar si reagim kundër vrasjes së dyfishtë si pasojë e dhunës në familje, në Komunën e Gjakovës.

Dhuna në familje është krim, dhe si e tillë duhet trajtuar. Dështimi në ofrim të mbrojtjes për gratë dhe vajzat që raportojnë dhunën na qon deri tek vrasja e tyre nga ushtruesit e dhunës.

Organizatorët kanë përgatitur edhe transport për pjesëmarrje në protestë nga Prishtina për në Gjakovë, nga ora 9:00. Nisja bëhet nga parking mbrapa Pallatit të Rinisë në Prishtinë.

Komentet

komentet