Në hetimin e dyshimeve për krim në Lotarinë Shtetërore të Maqedonisë është i përfshirë edhe ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski.
Kontrollohet funksionimi dhe ndikimi i tij në këtë rast, shkruan Plusinfo.
Sipas këtij portali, më shumë se një vit më parë, fshehurazi dhe me dyer të mbyllura, qeveria e mëparshme në qershor të vitit 2023 mori vendim për të mundësuar fillimin e procedurës për themelimin e tre kompanive të reja për organizimin e lojërave të fatit online, të cilat do të jenë në kuadër të saj, gjegjësisht nën ombrellën e Lotarisë shtetërore të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
“Vendimi i marrë më 14.6.2023 është firmosur nga zëvendësi i parë i kryetarit të Qeverisë së RMV-së, Artan Grubi. Ky vendim shtron pyetjen se si do të realizohet në përgjithësi procedura për themelimin e tri kompanive të reja për organizimin e lojërave të fatit online dhe nëse dhe në çfarë mase fshihen pas saj interesat personale të pushtetarëve?”, theksojnë burime qeveritare.