VMRO-DPMNE përmes një konference me mediat theksoi se në kohë krize qeverisja aktuale në Maqedoni ka shpallur tender për ndërtimin e një objekti të ri në vlerë prej 8.3 milionë euro.
Ky objekt do të jetë në dispozicion të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, përcjell INA.
“Masat antikrizë të kësaj qeverie janë vetëm në letër. Kovaçevski u mburr se e ndaloi blerjen e mobiljeve pasi të gjitha ministritë blenë divane dhe kolltuqe luksoze dhe sot shohim se kostot joproduktive llogariten në miliona euro. Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë ka shpallur tender për ndërtimin e objektit të ri prej 8,3 milionë euro dhe menjëherë do të fillojë ndërtimi dhe pagesa do të shkojë sipas punës së bërë, gjegjësisht sipas situatave të përkohshme”, tha zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Dimçe Arsovski.
Sipas Arsovskit, edhe pse mund të nevojitet një ndërtesë e re për punëtorët, megjithatë, siç theksoi ai, në kohë krize dhe kur masat shtrënguese paralajmërohen nga vetë Qeveria, nuk është e nevojshme që menjëherë të fillohet ndërtimi dhe shpenzimi i një sasie të tillë.
“Krahas kësaj, nëse çmimi është real 8.3 milionë euro për rreth 2600 metra katrorë apo jo është real, dhe nëse i përgjigjet asaj që do të ndërtohet, kjo është një tjetër histori dhe një temë tjetër që duhet diskutuar më tej. Por, këto 8,3 milionë euro në këtë kohë do të mund të përdoren për shumë gjëra të tjera të nevojshme për qytetarët, në mënyrë që t’u ndihmohet ta kalojnë këtë krizë”, tha Arsovski.(INA)