Në Prespën e vogël, rrodhi një ngjarje e madhe

0

Iljasa Salihu/ Çërçilli thoshte se politikani bëhet burrë shteti kur fillon të mendojë për brezat e ardhshëm dhe jo për zgjedhjet e ardhshme! Në njëfarë mënyrë, duke e marrë parasysh mbizotërimin e frymës nacional folklorike maqedonase, kryeministri i Maqedonisë, përmes këtij kompromisi, ka mundësi të digjet si politikan, por ta shpëtojë shtetin dhe brezave të ardhshme t’ia shtrojë rrugën e shpresës. Ai, në kohën e tanishme, e mbivlerësoi të ardhmen kundrejt të kaluarës, pikërisht si shkak i mësimeve që rrodhën në të kaluarën

Shkruan: Iljasa Salihu, Kumanovë

Pas 27 vjetësh mosmarrëveshjesh, kontestesh e bllokadash, Shkupi dhe Athina e nënshkruan një marrëveshje 20-faqëshe. Si rrjedhojë e këtij kontesti, Maqedonia – përgjatë tri dekadave – ngeci në gjembat e historisë. Pikërisht për shkak të emrit, Maqedonia kishte gjasë që – së bashku me emrin – të shkojë përgjithmonë në historinë e shteteve të shpërbëra. Prandaj, marrëveshja mes Shkupit dhe Athinës me të drejtë u vlerësua si marrëveshje historike. Pas kësaj marrëveshje, Greqia do të heqë dorë nga kundërshtimi i saj për anëtarësimin e Maqedonisë në Bashkimin Evropian dhe në NATO. Tanimë, më saktësisht pas referendumit, ish Republika Jugosllave e Maqedonisë dhe ish Republika e Maqedonisë do të quhet Republika e Maqedonisë së Veriut.

17 qershori ngjante me një ditë martese, ku bashkëshortët dhe të ftuarit shiheshin të lumtur, që nuk mund ta dije nëse lumturia e tyre buronte prej zemrave apo fillonte prej fytyrave të tyre. Shihej që, në këtë kontest, më së paku vlerësohej logjika dhe argumenti përgjatë rrjedhës së zgjidhjes. Me rëndësi të nënshkruhet diçka, përmes së cilës do të hiqej perdja e izolimit të vendit. Përndryshe, meqë do të kemi Maqedoni Veriore, do të duhej të kemi edhe Maqedoni Jugore. Tjetër gjë janë anët e horizontit brenda një shteti. Paksa paradoksale tingëllon kur themi se Maqedonia Veriore kufizohet në veri me Kosovën dhe me Serbinë ose të thuash se gjendesh në veri të Maqedonisë Veriore. Kjo anë e horizontit dëshmon se shteti i Maqedonisë Veriore nuk është një shtet i plotë, por gjysmështet dhe gjysma tjetër gjendet diku tjetër. Megjithëkëtë, shihet se nuk është e rëndësishme kuptimi i mirëfilltë i marrëveshjes, por marrëveshja që mundëson kapërcimin e një gardhi të mbushur me zvarranikë helmues.

Me kalimin e kohës, as identiteti kombëtar i maqedonasve nuk do të jetë i rëndësishëm, kur marrim parasysh se integrimi i vendit në familjen euro-atlantike do t’i zbehë dukshëm identitetet kombëtare. Të paktën në letër dhe përgjatë paraqitjeve të ndryshme! Mbase, këta që po e vajtojnë identitetin kombëtar maqedonas, duke pyetur se si do tëquhen tani, është mirë t’i mbathin këpucët e shqiptarëve në Maqedoni dhe do ta shohin se, përkundër që shteti thirrej Maqedoni, sërish shqiptarët ishin shqiptarë dhe në rrethana ku e drejta e vetëvendosjes së popujve varet prej fuqisë së atyre popujve. Pavarësisht emrit të shtetit, parimisht identiteti kombëtar i popujve nuk cenohet. Këso dore, tani që emërtimi i shtetit mori orientim gjeografik, do të lehtësohet çështja e përkatësisë kombëtare e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Tanimë është një mundësi e mirë që emrin e shtetit ta shkëpusim prej identitetit kombëtar, që lidhet vetëm me një etnitet. Fjala vjen, në Kosovë jetojnë shqiptarët si shumicë absolute, pastaj serbët, turqit, romët, boshnjakët. Shkon edhe kështu: emërtimi i shtetit të mos ketë lidhje me përkatësitë kombëtare të qytetarëve, madje në shoqëritë shumetnike një gjë e tillëështë e pëlqyer. Meqë e theu një akull shumë të dendur, tutje Shkupi duhet t’u rreket ndryshimeve të brendshme. Ngadalë dhe me hapa të matura, flamuri, stema dhe himni i shtetit patjetër duhet të ndryshojnë në funksion të paraqitjes dhe shfaqjes së këtij shteti si shtet shumetnik, duke pasur për qëllim që të gjithë qytetarët ta ndjejnë Republikën e Maqedonisë së Veriut si të tyre. Në rrugën e përparimit të ekonomisë dhe të sigurisë së shtetit nuk duhet lënë pengesa dhe padrejtësi me motive etnike dhe fetare. Kutia është hapur dhe patjetër duhet të zgjidhen edhe kontestet e brendshme, të cilat nëse nuk zgjidhen, do ta njelmësojnë dukshëm ëmbëlsirën e zgjidhjes së kontestit të emrit me Greqinë.

Çërçilli thoshte se politikani bëhet burrë shteti kur fillon të mendojë për brezat e ardhshëm dhe jo për zgjedhjet e ardhshme! Në njëfarë mënyrë, duke e marrë parasysh mbizotërimin e frymës nacional folklorike maqedonase, kryeministri i Maqedonisë, përmes këtij kompromisi, ka mundësi të digjet si politikan, por ta shpëtojë shtetin dhe brezave të ardhshme t’ia shtrojë rrugën e shpresës. Ai, në kohën e tanishme, e mbivlerësoi të ardhmen kundrejt të kaluarës, pikërisht si shkak i mësimeve që rrodhën në të kaluarën. Në të kaluarën e pamë se shpërpushja e të kaluarës sjellë vetëm pasiguri, padrejtësi, ngecje, migrim, amulli, anarki, korrupsion, dëshpërim dhe izolim me botën e qytetëruar.

Menjëherë pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, z. Stoltenberg tha se shpreson se do të mund të dërgohet ftesa për anëtarësim të Maqedonisë në NATO në Samitin që do të mbahet me 11 dhe 12 korrik në Bruksel. Nëse Maqedonia e Veriut (emërtim ky zyrtar pas referendumit që pritet të mbahet në shtator) do të anëtarësohet në NATO, ajo do të ketë përfitime të shumta. Në sajë të disa hulumtimeve dhe analizave për këtë temë, përfitimet për Maqedoninë do të jenë përtej sferës së sigurisë. Me anëtarësimin në NATO, Maqedonia konsiderohet si një vend i sigurt dhe me ekonomi të shëndoshë, ndërsa do të shtohen edhe investitorët e huaj në vend. Analistët e nënvizojnë shembullin e Çekisë, që – pasi u anëtarësua në NATO – pati një bum investimesh, të cilat kapën shifrën e 9 miliardë eurove. Me hyrjen në NATO, forcohet roli i vendit në arenën ndërkombëtare dhe vendi konsiderohet më i sigurt, jep garanci për investitorët e huaj, rriten investimet e huaja, ndërsa duke u reformuar për në NATO, bëhet afrimi i vendit edhe me Bashkimin Evropian dhe pastaj BE-ja të shikon si një partner më serioz në negociata për anëtarësimin. Përgjithësisht, futja e vendit në NATO, duke përfshirë kërkesat e kësaj organizate ndërkombëtare politike dhe ushtarake, domosdoshmërish do ta reformojnë vendin, ngaqë vendimet e tij tashmë nuk varen vetëm prej një shpure oligarkësh të këtij shteti, por udhëheqësit e vendit do ta kenë të patjetërsueshme bashkëpunimin me partnerët seriozë ndërkombëtarë.

Komentet

komentet