Në pritje të rezultatit, rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë shpallen të hënën, por jo certifikimi

Nëse gjithçka shkon siç duhet, të hënën mund të mbarojë në tërësi procesi i numërimit dhe rinumërimi të votave për zgjedhjet e 14 shkurtit.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka shtuar kapacitetet e numërimit në Qendren e Numërimit dhe rezultateve.

Besojmë që në fillim të javës së ardhshme siç kemi paralajmëruar edhe dje KQZ-ja do të mund të shpallë rezultatin përfundimtar për subjektet politike dhe kandidatët.
Valmir Elezi
Zëdhënës i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve

Me shpalljen e rezultatit përfundimtar, nuk mbaron procesi. Partitë ose kandidatët, brenda 24 orëve mund të ankohen në Panelin Zgjedhor për Ankesa e Parashtresa, që ka tri ditë kohë për të vendosur. Brenda kësaj periudhe ligjore ndër të tjerët, ankesë në PZAP pritet të dorëzojë edhe Aleanca Kosova e Re e Behgjet Pacollit.

Kemi fakte nga terreni se shumë vota na janë tjetërsuar në atë kuptimin jo nga partia por janë tjetërsuar nga kandidatët tanë tek kandidatet e tjerë brenda subjektit prandaj kjo na ka nxitur që të kërkojmë rinumërim të të gjitha kutive.
Vesel Makolli
Sekretar i Aleancës Kosova e Re

Në rast se palët janë të paknaqura me vendimin e Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, ato mund t’i drejtohen Gjykatës Supreme.

Pa shqyrtimin nga ana e PZAP-së dhe të Gjykatës Supreme të të gjitha ankesave të subjekteve politike apo të kandidatëve të ndryshëm për deputetë, KQZ-ja nuk mund të certifikojë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 14 shkurtit. Prandaj, certifikimi i këtij rezultati, bazuar në afatet kohore, nuk pritet të ndodhë para fundit të javës së ardhshme.

Aktualisht, po vijohet me procesin e vlerësimit të rreth 43 mijë e 500 pakove me fletëvotime të ardhura nga jashtë Kosova. Deri më tani janë hapur 34 mijë pako, prej të cilave janë aprovuar 41 mijë e 280 zarfe me fletëvotime dhe 16 mijë e 288 zarfe janë refuzuar sepse nuk i kanë plotësuar kriteret ligjore.