Në Shën Pjetër, 55 mijë orkide, tulipanë, zymbylë, trëndafilë nga Holanda e Sllovenia për Pashkët

0

Orkide të bardha u derdhen si ujëvara rreth Altarit të Dëshmisë, ndërsa tulipanë, narcizë e strelicie e shndërruan edhe këto Pashkë Sheshin e Shën Pjetrit, në kopsht të lulëzuar, njoftoi radio Vatikani.
Janë 55 mijë, lulet dhe bimët zbukuruese, që sollën pranverën në të Dielën e Pashkëve, duke e shndërruar Sheshin e Shën Pjetrit, në një kopsht, në kulmin e lulëzimit! 25 mijë tulipanë të bardhë, të kuq, të verdhë e ngjyrë portokalli; 7 mijë narçizë të verdhë e të bardhë, 6 mijë lulezymbyli, më se tremijë trëndafilë… Të gjitha, lule të ardhura nga Holanda që, për të 33-tën herë, shtrojnë nën këmbët e Papës këtë lëndinë, në kulmin e solemnitetit të Ngjalljes së Krishtit.

Puna e lulishtarëve holandezë

Për ta krijuar këtë kënd të jashzakonshëm pranvere, mbi shkallët e gurta të Bazilikës e në tremen e saj, punuan 30 lulishtarë holandezë, kryesuar nga Paul Deckers, që merr pjesë në këtë nismë për të 33-tën herë. “Ia kushtoj gjithë vitin projektimit të kopshteve të lulëzuara e, sapo marr miratimin e Vatikanit, përgatis vizatimet përfundimtare – pohon – Sfidë për t’u përballuar është vendosja e luleve dhe e pemëve, në mënyrë që të mos e pengojnë kremtimin e Meshës së Papës, në një ditë kur sytë e mbarë botës, ngulen mbi Atin e Shenjtë, përmes mijëra ekraneve. Mijëra lule, por edhe miliona sy!

Nga Sllovenia, orkidetë “në formë ujëvare”

Lulishtja në Sheshin e Shën Pjetrit qe gati në ag të Pashkëve. Lulëzon, njëherësh me ngjalljen e Zotit! Ndërkaq u stolis edhe brendia e Bazilikës, për Natën e Pashkëve. Altari i Dëshmimit u stolisur me treqind orkide të bardha “në formë ujëvare”, ardhur nga Sllovenia, me origjinë nga Japonia. Eshtë e 15-ta herë që nga Sllovenia arrijnë duar të specializuara për të ndihmuar Shërbimin e Kopshtarëve të Qytetit të Vatikanit në artin e stolisjes së Bazilikës.