Ne, shqiptarët e Serbisë, duhet të merremi me spastrimin tonë etnik: të flasim sinkron; ku duhet dhe si duhet!

Muharrem Saliu

Jam shumë i lumtur që si pasojë e aktivizimit të AFEDS, për të promovuar raportin e Sonja Biserkos, mbi “pastrimin etnik me mjete administrative”, në kurriz të shqiptarëve në Serbi, me fokus Medvegjën, edhe politikanë të tjerë të 3 komunave tona, po flasin. Konkurenca politike, motive partiake, vëmendja që fituan keto tema në mediat kombëtare dhe rajonale e që nxit protagonizmin, apo arsye të tjera krijuan këtë momentum. Nënvizimi që ne i bëmë Kryeministrit Kurti se në takimin me Presidentin Vuçiq duhet t’i dorëzonte raportin e Zonjës Biserko, përkatësisht të Komitetit Serb të Helsinkit dhe disa organizatave të tjera, ishte shtysa kryesore mobilizuese. Ne ndihemi krenarë për këtë rol të AFEDS.

Mirpo po bëjmë disa gabime:

Së pari, duhet konvergjim, duhen insiativa te përbashkëta dhe jo të mëvetshme. Kur këndon apo thërret në kor, zëri është më i fortë dhe degjohet më shumë. Mjerisht seicili prej nesh flet veç e veç.

Së dyti, duhet gjetur forumi, kundërpala e duhur, rasti, kancelaria, media e duhur që të amplifikohet efekti, zhurma, ndikimi. Pse jo në Beograd, pse jo një protestë? Pse jo kërkesë për takim, pse jo thirrje publike, mediatike, ndaj autoriteteve serbe?

Së treti, në Parlamentin e Serbisë duhet të kujdesemi të flasim për fatin e atyre që na kanë votuar, dhe jo për tema të mëdha ndërkombëtare apo rajonale. Duke harruar ata që na kanë zgjedhur, kauzat e tyre, spastrimin etnik për të cilin flet serbja Biserko, e duke folur ne shqiptarët për “ tema të mëdha rajonale” për të cilat ka kush e ngre zërin, na duket sikur fitojmë aureola heronjsh kombëtarë, por kemi ngaterruar cila është lufta dhe llogorja e gjithëseicilit.

Tema e Minishengenit, duhet trajtuar me kompetencë, nga kendveshtrimi ynë specifik si shqiptarë të Serbisë: njohja e diplomave; diskriminimi ekonomik, bllokimi i lirisë së levizjes, etj e vetëm më pastaj të flasim se nga kalon “rruga e Tiranës”.

Së katërti, shumë mirë që i drejtohemi për ndihmë dhe shtetit shqiptar, por nuk ka pse t’ i qahemi! Tiranës dhe Prishtinës duhet t’i kërkojmë të na mbrojnë sipas Kushtetutës, apo Dokumenteve ndërkombetarë dhe jo të bërtasim në Tiranë që të na degjojnë në Beograd apo të marrim pëlqime në rrjete sociale.
Sot është vonë!