Në UT promovimi (post mortum) i librit “Grafeni” të Abdilaqim Ademit (FOTO)

Iliria News Agency
Iliria News Agency

16/02/2023

Në Universitetin e Tetovës, sot u promovua libri (post mortum) “Grafeni – Sinteza, karakterizimi dhe aplikimi” i autorit Abdilaqim Ademi. Ky libër i takon lëmit të nano-teknologjisë dhe nano-materialeve, dhe është edhe disertacioni i doktoratës së të ndjerit. Kjo vepër u botua nga Qendra Analitike Hulumtuese “Abdilaqim Ademi”.

Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtrim Ahmeti, në fjalën e tij drejtuar auditorit u shpreh se, Universiteti i Tetovës në mënyrë të vazhdueshme përkrah botimin dhe promovimin e teksteve universitare dhe shkencore të stafit akademik dhe të gjithë studiuesve shkencorë, ku deri më tani kemi botuar dhe ribotuar tekste universitare të paraqitur dhe promovuar në institucionin tonë.

https://www.facebook.com/unite.edu.mk/posts/507355501562321

“Të gjitha këto botime jenë shtyllë e pashmangshme e afirmimit të punës shkencore të kuadrit akademik dhe shkencorë brenda dhe jashtë Universitetit të Tetovës. Fillimisht, le të ndajmë pak kohë për të kujtuar figurën e Abdilaqim Ademit, i cili përveç se politikan i spikatur ishte edhe një njeri arsimdashës, njeri i shkencës. Pikërisht sot, në këtë tempull të dijes që frymon shqip, ne bëjmë promovimin e librit të cilin ai nuk arriti ta botonte për shkak të ndarjes së parakohshme nga jeta, por që na e la pas si një testament shkencor. Ne e kujtojmë Abdilaqim Ademin si një përkrahës të përparimit të arsimit të lartë në Maqedoni, mik të Universitetit të Tetovës, i cili është i lidhur me historinë e universitetit tonë prej para zyrtarizimit, duke qenë i angazhuar në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, për të marrë pjesë në përpilimin e Ligjit për legalizimin e Universitetit të Tetovës, ndërsa si asistent në Qendrën e Studimeve Politeknike dha kontribut të drejtpërdrejtë në ngritjen e saj. Si ish-ministër i arsimit, e ka nderuar pa hezitim institucionin tonë, duke na u bashkëngjitur në shënimin e ngjarjeve më të rëndësishme të universitetit, duke lobuar në qarqet arsimore dhe shkencore për rëndësinë e avancimit të arsimit në përgjithësi, por sidomos arsimit në gjuhën shqipe. Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për themelimin e Universitetit Shtetëror të Tetovës, i hartuar në koordinim me udhëhqësinë e universitetit, me të cilin ndryshoi emri i universitetit, nga Universitet Shtetëror i Tetovës në Universiteti i Tetovës, duke u themeluar njëkohësisht edhe Fakulteti Pedagogjik dhe Fakulteti të Bujqësisë dhe Bioteknologjisë e mban nënshkrimin e tij. Sot, kur gjendemi në prag të finalizimit të konviktit të studentëve të universitetit tonë, nuk duhet harruar se pikërisht në këtë kohë filloi kjo iniciativë”, tha Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtim Ahmeti.

Ndërsa për sa i takon librit, i cili u promovua sot, ai theksoi se libri është hartuar në përshtatshmëri me të gjitha kriteret e shkrimit të një libri hulumtues dhe shkencor, ndërsa autori gjatë shtjellimit të tekstit në tërësi është përpjekur që t’i shmanget trajtimit klasik të materialit. “Përmbajtja e këtij libri është e ndarë në gjashtë kapituj, ku tek secili prej tyre trajtohen vetitë superiore të grafenit, që sipas shkencëtarëve u emërua si materiali i së ardhmes ose materiali magjik, që ka mundësi për aplikim të gjerë në shumë fusha të shkencës dhe të jetës së përditshme. Sfida dhe rëndësia e këtij libri, disertacioni të doktoratës, qëndron në atë se, kjo metodë është hulumtuar shumë pak në botë dhe rezultatet e fituara janë parësore dhe origjinale në këtë fushë shkencore. Puna individuale e autorit dhe hulumtimet eksperimentale të kryera në kuadër të tezës së doktoratës sqarojnë në detaje modelin për përcaktimin e shtresave të grafenit, si dhe modelin që mundëson llogaritjen e shpërndarjes së trashësisë së grafenit në bazë të të dhënave të XRD. Universiteti i Tetovës i mirëpret të gjithë ata që me vepra të mira kontribuojnë në përparimin e gjeneratave të ardhshme, duke investuar pikërisht në arsim dhe në avancimin e mëtejshëm të njohurive për brezat që vijnë pas”, deklaroi Rektori i Universitetit të Tetovës, Prof. Dr. Kushtim Ahmeti.

Redaktori i këtij botimi, Prof. Dr. Hamit Mehmeti, profesor në Fakultetin e Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike të Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë të Kosovës u shpreh se, sot jemi tubuar në këtë promovim shkencor, për t’u informuar me të arriturat shkencore nga lëmi i nano-teknologjisë dhe të nano-materialeve. “Kësaj radhe, për këtë lloj teknologjie nuk do të mësojmë nga shkencëtarët botërorë, por nga i biri këtij kombi, nga studiuesi i kësaj fushe, Abdilaqim Ademi. Ne të gjithë e kemi njohur Abdilaqim Ademin si njeri i politikës, njeri i sfidave dhe njeri i zgjidhjes së problemeve politike, ndëretnike, ekologjike dhe arsimore, ndërsa, anën shkencore të tij e kanë ditur vetëm rrethi i ngushtë i shokëve dhe i kolegëve të tij. Abdilaqim Ademi ka qenë një arsimdashës i madh, studiues dhe shkencëtar në zanafillë, i cili premtonte shumë, me dashuri të madhe ndaj shkencës dhe me vullnet të pashoq për ngritjen e kuadrove të mirëfillta shkencore, me ide të shumta për realizimin e këtyre dëshirave dhe padyshim që do të arrinte një nga një t’i realizojë, sikur sëmundja e rëndë mos t’ia kishte ndalur hapin”, tha redaktori, Prof. Dr. Hamit Mehmeti.

Në emër të kryetarit të BDI-së, z.Ali Ahmeti, këtë ngjarje e përshëndeti edhe veprimtari nga Kosova Ismet Sulejmani, mentori i autorit të librit, Prof. Dr. Aleksandar Dimitrov, si dhe përfaqësuesi i Qendrës Analitike – Hulumtuese, “Abdilaqim Ademi”, Mr. Pishtar Lutfiu.

Autori i librit që u promovua sot, Abdilaqim Ademi lindi më 20 dhjetor të vitit 1969 në fshatin Shemshovë. Shkollimin fillor e kreu në fshatin e lindjes, më pas e vazhdoi shkollimin e mesëm në Gjimnazin e Tetovës. Studimet i filloi në Mitrovicë, por për shkak të ngjarjeve të asokohshme, studimet i vazhdon në Tiranë, në Fakultetin Politeknik të Universitetit të Tiranës dhe në vitin 1996 merr titullin Inxhinier i metalurgjisë. Ai po ashtu, pas legalizimit të Universitetit të Tetovës, në vitin 2004 emërohet asistent në Fakultetin e Ndërtimtarisë. Në vitin 2018, në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup i regjistroi studimet pasuniversitare të doktoratës, por nuk arriti ta mbrojë disertacionin. Ndërroi jetë më 16 shkurt të vitit 2018. Ky promovim libri i përmbyll me një pikë instrumentale nga Benjamin Menga dhe Jetmir Mehmedi.

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

SKANDAL

Petrova: Fatmir Besimi në mënyrë të paligjshme ka nënshkruar pëlqime për 3000 punësime në institucionet shtetërore

SHOLZ

Jonuzi: Pas Albin Kurtit edhe Scholz përzihet në punët e brendshme të Maqedonisë!

stevo pendarovski

Pendarovski: Oferta e Mickoskit për koalicion është shenjë dobësie

gashi

Gashi: Jemi në proces për ta bërë ndryshimin historik në Maqedoninë e Veriut

MEXHITI

Izet Mexhiti nga Berlini: Mërgata mposhti Jugosllavinë, andaj do ta mposhtë edhe BDI-në

IMG_1316

Albulena Haxhiu: Koalicioni VLEN e ka mbështetjen e parezervë të Albin Kurtit dhe Vetëvendosjes

WhatsApp Image 2024-04-19 at 23.03.16 (1)

Sela: Vota për Bujarin më 24 prill dhe për Frontin më 8 maj është biletë kthyese e fëmijëve tanë të cilët kanë marrë rrugën e mërgimit

Ali AHmeti

Fronti Europian në Vrapçisht/ Ahmeti: Punojmë për fitore historike, më 24 prill dhe 8 maj rrethojmë numrin 4

Fronti Europian në Vrapçisht/ Ahmeti: Punojmë për fitore historike, më 24 prill dhe 8 maj rrethojmë numrin 4

INFO

NA NDIQ