Në Fakultetin Juridik të Universitetit të Tetovës, sot u promovua libri trivëllimësh, Partia Demokratike Popullore 1990-1997 nga autori Iljaz Halimi.
Dekani i Fakultetit Juridik, Prof. Dr. Safet Emruli theksoi se autori i monografisë, me të drejtë ka vlerësuar se ka nevojë për të nxjerrë në dritë dokumentet, aktet, deklaratat, takimet dhe gjithë veprimtarinë e PDP-së dhe të krijojë mundësi për të gjithë ata që merren me studimin e rrjedhave politike e shoqërore në Maqedoninë e Veriut, si dhe studiuesit e rinj të mësojnë direkt nga dokumentet origjinale mbi lëvizjet dhe zhvillimet politike shqiptare të fillimviteve të pluralizimit politik dhe demokracisë.
Recensenti i veprës në fjalë, Prof. Dr. Xhemaludin Idrizi tha se ky libër paraqet një dokument historik që përfshin tërë punën e veprimtarisë së bujshme shtatëvjeçare në skenën politike në Maqedoninë e atëhershme, e cila doli nga gjiri i Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë.
Për veprimtarinë e partisë, rrethanat, mbledhjet e mbajtura, peripecitë në të cilat kanë kaluar, vendimet që janë marrë e shumëçka, folën edhe panelistët e tjerë, Bedredin Ibrahimi dhe Zeqir Kadriu.
Vetë autori i librit, Iljaz Halimi theksoi se në këta libra lexuesit kanë mundësi të njihen me monografinë, apo më mirë thënë dokumentimin e veprimtarisë së Partisë Demokratike Popullore gjatë shtatë viteve të funksionimit të saj.
“Unë kam qenë i privilegjuar që kam pasur fatin të disponoj nga arkivi i partisë, i cili pas Bashkimit të PDP-së me PPDSH-në dhe formimin e PDSH-së në vitin 1997 me vendim të kryesisë u transferua në një kënd të bibliotekës në shtëpinë time, e cila ndodhet shumë afër selisë së PDP-së. Me kalimin e viteve Partia Demokratike Popullore sikur u la në harresë, ajo thuajse se nuk përmendej nga askush se ka ekzistuar ndonjëherë, edhe pse në realitet bëhet fjalë për një parti e cila gjatë funksionimit të saj, la gjurmë të pashlyeshme në historinë më të re të pluralizmit politik në RMV. Ky qe shkaku që më motivoi aktivitetin e PDP-së që me kohë e kishim arkivuar ta botoj si libër monografik apo dokumentar, në tri pjesë, që t’u ofrohet lexuesve për të kuptuar për së afërmi se si ka funksionuar PDP-ja dhe cilat kanë qenë qëndrimet apo pikëpamjet e saj për avancimin e pozitës së shqiptarëve si dhe për zgjidhjen e çfarëdo qoftë problemi tjetër kombëtar, shoqëror në Republikën e Maqedonisë së Veriut e më gjerë. Ajo që vlen të veçohet në këta libra, për të cilën jam krenar është se Partia Demokratike Popullore gjatë veprimtarisë së saj politike edhe pse pati mundësi të jetë pjesë e pushtetit qendror, pasi kishte ofertë, kjo nuk ndodhi sepse qëllimi dhe vizioni i kësaj partie nuk ishte plotësimi i apetiteve dhe privilegjeve individuale apo grupore, por realizimi i programit të saj.” – tha ndër të tjera autori i librit, Iljaz Halimi.
Në këtë botim janë përfshirë në mënyrë origjinale, pa ndërhyrje e korrigjime dhe në mënyrë kronologjike, të gjitha Kuvendet e PDP-së, Kongresi, mbledhjet e Kryesisë, aktivitete dhe dokumente tjera partiake.(INA)