Negociatat me Greqinë,Meta nuk po luan për Berishën

Presidenti Ilir Meta refuzon sërish ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, për dhënie autorizimi për plotfuqi, për të vijuar negociatat mes Shqipërisë dhe Greqisë.

Ai tha se ka kërkuar informacione të tjera shtesë nga Ministria për Europën dhe Punët e Jashtme për sa i përket negociatave me Greqinë.

“Ka pasur një reflektim nga MEPJ i cili në disa elementë është vlerësuar për t’u plotësuar më tej”, tha Meta.

Gjatë një interviste në “Studio e Hapur” këtë të martë, Presidenti shtoi se ka kërkuar verifikime për të gjithë grupin negociator.

Për sa i përket çështjes së kolonelit Artur Meçollari, pjesë e këtij grupi, për të cilin opozita ka hedhur dyshime se është agjent i shërbimeve të huaja sekrete, Presidenti tha se ai i referohej vetëm informacioneve zyrtare të institucioneve shtetërore, por shtoi se nuk kishte deri më tani asnjë informacion shtesë në lidhje me të.

Kreu i Shtetit e cilësoi element pozitiv letrën që Meçollari i ka drejtuar disa vite më parë Prokurorisë së Përgjithshme, që të hetoheshin negociatorët e marrëveshjes së parë të detit. Sipas Presidentit Meta kjo ishte tregues i përgjegjësisë dhe integritetit të Meçollarit.