Negociatat për emrin drejtë fundit. Gjatë orë bisedime në Vjenë

0

Negociatat për zgjidhjen e kontestit të emrit do të vazhdojnë nën patronatin e OKB-së. Kështu u dakorduan dy ministrat fqinj, Dimitrov dhe Kosijac pas takimit me Nimicin në Vjenë.

Bidesimet kanë zgjatur më shumë se gjashtë orë dhe pas përfundimit të tyre, MPJ e Maqedonisë doli me një kumtesë të shkurtër se palët janë dakorduar të vazhdojnë përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje.

Agjencia e lajmeve INA mëson se në këtë takim është biseduar edhe draft-marrëveshja ku për Maqedoninë janë propozuar disa emra, në mesin e tyre edhe Gorna Makedonija.

Takimet pritet të shtrihen edhe në nivelin e kryeministrave, por detaje për kohën dhe vendin e takimit ende nuk janë kumtuar. Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev ka shprehur bindjen se deri nga fundi i muajit maj mund të ketë një zgjidhje të mundshme, por edhe ai nuk ka saktësuar detaje. Zaev ka theksuar se Qeveria mbetet në qëndrimin se zgjidhja nuk duhet të përfshijë edhe ndryshimin e Kushtetutës.

Ndërkaq zëvendëskryeministrja, Radmilla Sheqerinska thotë se bazuar në qëndrimet e deritanishme edhe të zyrtarëve perëndimorë, anëtarësimi i vendit në institucionet euroatlantike nuk është i lidhur me ndryshimin e Kushtetutës, por me kritere tjera që po ashtu janë edhe në interes të qytetarëve të vendit.

“Absolutisht vlerësoj se shkelja e ligjeve apo e Kushtetutës nuk duhet të jetë pjesë e obligimeve që duhet të përmbushë Maqedonia, pasi një ndër kushtet kryesor është sundimi i së drejtës. Kjo është theksuar edhe nga vetë Aleanca e Atlantikut të Veriut në samitin e fundit, kur riafirmoi qëndrimin për të pranuar Maqedoninë në mesin e saj. Pra, përveç kontestit me Greqinë si kritere që shihet si me prioritet janë sundimi i ligjit, zgjedhjet e besueshme, media të pavarur dhe rritje e transparencës dhe e përgjegjësisë së institucioneve. Këto kritere kërkohen edhe nga qytetarët tanë kështu që jo rastësisht NATO dhe BE shihet nga ana e tyre si aleatët më të fuqishëm të vendit”, thotë Sheqerinska.

Në deklaratat e zyrtarëve grekë që transmetojnë mediat në Maqedoni, bëhet e qartë se Athina do të insistojë me çdo kusht që zgjidhja të përfshijë edhe ndryshimin e Kushtetutës. (INA)