Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla sot pas një takimi me ambasadoren e Maqedonisë së Veriut në Prishtinë, Shpresa Jusufi konfirmoi se është nënshkruar marrëveshja për pika të përbashkëta kufitare mes dyja vendeve.
“Nga sot, Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë së Veriut me pika të përbashkëta të kalimit kufitar.
Duke marrë parasysh marrëdhëniet miqësore, bazuar në vlerat e barazisë dhe me qëllim të fuqizimit të bashkëpunimit rajonal, sot kam nënshkruar marrëveshjen e cila do të mundësojë themelimin e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar me Republikën e Maqedonisë së Veriut, “Han i Elezit – Bllacë” dhe “Glloboqicë-Jazhincë”.
Kjo marrëveshje ka për qëllim thjeshtimin e procedurave dhe lehtësimin e lëvizjes së personave dhe automjeteve.Tani e tutje, qytetarët do të legjitimohen vetëm në njërën pikë kufitare”, deklaroi ministri Sveçla.