Nervozizmi i Kissingerit

ina-online
ina-online

01/12/2023

Nga Beqir SINA *

Në pranverën e vitit 1999, lufta dukej në prag. Pritej që NATO-ja të bombardonte Serbinë dhe objektet e saj ushtarake në Kosovë. Në ajër kishte një tension të dukshëm dhe unë isha gjithë sy e veshë. Televizorin e mbaja vazhdimisht hapur dhe u telefonoja njerëzve që kishin kontakte në komunitet, me shpresën se ata mund të dinin diçka.Më 10 mars, Komisioni për Punët e Jashtme i Dhomës së Përfaqësuesve kishte planifikuar një seancë të posaçme dëgjimore për gjendjen në Ballkan dhe për të shqyrtuar mundësinë e dislokimit të trupave amerikane në Kosovë.

Në Capitol Hill ishin ulur krerët e Komisionit, Benjamin Gilman, Henry Hyde dhe Tom Lantosh.

Seanca ishte organizuar me ndihmën e Lidhjes Qytetare Shqiptaro-Amerikane me Joe DioGuardin dhe gruan e tij Shirley, e cila zyrtarisht mbante titullin e Këshilltares Juridike për Çështjet Ballkanike.

Unë isha në sallë dhe vrapoja t’i fotografoja të gjithë.Midis të ftuarve për të folur para Komisionit ishin senatori Bob Dole, ish ambasadorja e SHBA në Kombet e Bashkuara, Jeane Kirkpatrick dhe të tjerë.

Komisioni kishte ftuar të dëshmonte edhe Henry Kissingerin, ish Sekretar i Shtetit nën Presidentin Nixon.

Kissingeri në atë kohë ishte 76 vjeç dhe i mbajtur mirë. Atë ditë vura re një nervozizëm të pazakontë në fjalët e tij, sepse diplomacia po bëhej e pafuqishme dhe po ia linte fushën ushtarakëve. Natyrisht, si një diplomat me karrierë të gjatë dhe të shkëlqyer, ai siç duket besonte se ende kishte hapësirë që zgjidhja të arrihej në tryezën e bisedimeve dhe botës t’i kursehej një luftë e re.

Kissingeri tha se përdorimi i trupave tokësore amerikane dhe i forcës së NATO-s në atë rast do ishte një precedent i rrezikshëm për Amerikën.Sllobodan Milosheviçi i kishte çuar në ekstrem veprimet kundër civilëve dhe nuk dëgjonte asnjërin nga variantet e zgjidhjeve që i paraqisnin i dërguari diplomatik Richard Holbrooke dhe gjenerali Wesley Clark, shefi ushtarak i NATO-s.

Në pushim të seancës së parë, iu afrova Kissingerit me kujdes, jo aq për të bërë foto, sesa për t’i shkuar pranë dhe për ta pyetur: “Çfarë mendonte legjenda e diplomacisë amerikane se do të bëhej me Kosovën?”.

Zëri i tij më solli një përgjigje të tmershme dhe drithëruese.

Kissingeri kishte një zë të thellë që i dilte nga brenda gjoksit dhe dukej sikur i këputej dhe i thyhej si coprat e një xhami që bie në dysheme. Theksi i tij gjerman ishte i njohur, sidomos kur shqiptonte bashkëtingëlloren “w” që ai e shndërronte në “v”. Bashkë me zërin e Kissingerit drejt meje erdhi edhe vështrimi i tij prej një diplomati me pamje të egër. Pyetjes sime iu përgjigj me vetëm disa fjalë, që nuk i kishte thënë më parë: “I smell war” (ndjej erën e luftës). Dhe shtoi: “War, war and only war” (luftë, luftë dhe vetëm luftë).

Në atë çast, m’u duk më tepër si një komandant lufte se sa një diplomat i sprovuar. Dukej i mërzitur për veten dhe për kolegët e tij diplomatë që nuk po arrinin të bënin më shumë.

Kissingeri kishte patur disa suksese si diplomat. Ai ishte ideatori i takimit historik mes Nixonit dhe udhëheqësit kinez Mao Ce Dun në Pekin në shkurt të vitit 1972 dhe mendimi i tij respektohej shumë në qarqet amerikane.

Kissingeri merrej me strategjitë e mëdha.

Ai mendonte se nëse NATO-ja ndërhynte ushtarakisht për shqiptarët, kjo mund t’i hapte dyert pakënaqësive të Rusisë dhe kështu do të prishej ekuilibri mes fuqive.

Kundërshtarët e tij në seancë argumentonin se Kosova ishte një rast i veçantë, ku popullsia po dëbohej me forcë nga Millosheviçi, duke krijuar destabilitet në Ballkan, prandaj duhej vepruar me mjete ushtarake.

“A mund t’ju bëj një foto, zoti Kissinger?”, – e pyeta.

“Ok, mund ta bësh, por jo me blic. Kam alergji nga blici”, – m’u përgjigj thjesht.Arriti të shuajë paksa zemërimin dhe mblodhi forcat duke vënë buzën në gaz për të pozuar përpara aparatit tim.

Dy javë më vonë, avionët e NATO-s nisën bombardimet kundër Serbisë.

*Rob – nje biografi ne dy kohe nga Beqir Sina (A-008652) Libër 2022

Përshkrim i shkurtër:

Libri prej më shumë se 400 faqesh, botim i “Tirana Times”, paraqet jetën e autorit nën komunizëm dhe lirinë që ai gjeti në Amerikë.

 

TË FUNDIT

ME TE LEXUARA

LEXO MË SHUMË

nexhat

Ndryshimi duhet edhe në ekonomi

enkel demi

Për “sharlatanët” tanë që dalin në media dhe peticionin e intelektualëve

Xhelal Zejneli

Luftërat Ballkanike – Krimet Serbe ndaj shqiptarëve

sadri-ramabaja1

Lidhja në unison e të ardhmes së Shkupit dhe Mitrovicës

Latif Arifi

Po me Arbenitën ç’patët?

vebi xhemaili

Më ngadalë pak me zotri Taravarin

Kimete-Berisha

Imami që e ka privatizuar ahiretin dhe tregtia me trishtimin!

xheladin zeneli

Ata shqiptarë që udhëtojnë me ‘Air Serbia’, në mënyrë indirekte përkrahin aktet luftënxitëse të Serbisë kundër Kosovës !

kongresi i berlinit

Mbiemrat e shqiptarëve janë sllavizuar pas Kongresit të Berlinit

INFO

NA NDIQ