Nesër mund të hyni në Kosovë vetëm me tri doza të vaksinës ose dy doza dhe test

Qeveria e Republikës së Kosovës ka miratuar sot masat e reja anti-Covid, të cilët do të hyjnë në fuqi nga dita e nesërme.

Një na masat e reja është edhe kërkesa për dëshmi të vaksinimit anti-Covid, sipas së cilës për të hyrë brenda territorit të Republikës së Kosovës duhet personat duhet të kenë tri doza të vaksinimit, ose certifikatë vaksinimi për dy doza dhe testin PCR gjatë 48 orëve.

Ky vendim do jetë në fuqi deri më 4 shkurt.

Çdo person i cili hyn në Republikën e Kosovës duhet të posedojë një nga dëshmitë e mëposhtme:

– Certifikatën e vaksinimit me tri (3) doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen dhe dozë përforcuese) kundër COVID-19;

– Certifikatën e vaksinimit me dy doza (ose me një dozë të vaksinës Janssen) kundër COVID-19, bashkë me testin RT-PCR negativ për COVID-19, jo më herët se 48 orë para nisjes (për udhëtarët që hyjnë në rrugë ajrore) ose 48 orë para mbërritjes në pikën kufitare (për ata që hyjnë në rrugë tokësore).

Bartja e maskës duke mbuluar hundën dhe gojën është obligative në të gjitha rastet, përveç: gjatë ngasjes së automjetit vetëm, apo kur në automjet janë prezentë, ekskluzivisht anëtarët e ngushtë të familjes; gjatë vrapit, çiklizmit dhe ushtrimeve fizike;
gjatë ngrënies apo pijes. Ndalohet hyrja në ambientet e mbyllura pa maskë.

Kufizimi i qarkullimit të qytetarëve do të jetë nga ora 22:00 deri në ora 05:00, përveç: rasteve të natyrës urgjente (për të kërkuar ndihmë mjekësore, blerje të barnave, për të ofruar kujdes ose ndihmë mjekësore, për të shmangur dëmtimin ose për t’i shpëtuar një rreziku lëndimi); qarkullimit për personelin shëndetësor, të sigurisë dhe operatorët që kryejnë punë apo shërbime publike, etj. (INA)