Nesimi: Blerim Reka ka faj vetëm pse është shqiptar

0

Shkrim nga Robert Nesimi
Fushata e zgjedhjeve presidenciale 2019 ngadalë po hyn në fazën e saj të fundit. Ndryshe nga zgjedhjet e mëparshme të këtilla që mbaheshin në momente dramatike dhe situata të tensionuara, këtë vit fushata po kalon e qetë dhe pa ndonjë incident të shënuar.

Kontribut për këtë sigurisht kanë edhe profilet e vetë kandidatëve dhe retorika e tyre zgjedhore. Në këtë garë presidenciale kemi tre profesorë dhe pa marrë parasysh qëndrimet e tyre politike duhet të pranojmë se secili prej tyre sjell dinjitet në garë dhe mund t’a kryejë me po atë dinjitet funksionin për të cilin garon.

Favoriti im dhe personi që mendoj se është më i qëlluari për funksionin e kryetarit është profesori Blerim Reka. Një pjesë e lexuesve sigurisht do të mendojnë se këtë e them në vijë të një solidariteti etnik, d.m.th. si një shqiptar që përkrah një shqiptar tjetër, vetëm pse është shqiptar.

Një argument të tillë ndëgjova në një emision televiziv ku komentoheshin anketa. Mysafiri tha se shqiptarët përherë votojnë për shqiptarë, duke aluduar se në politikë ata udhëhiqen ekskluzivisht nga instinkti i grupit. Ai si duket harroi faktin se një pjesë e shqiptarëve megjithatë do të votojnë për Pendarovskin, ndërsa nga ana tjetër mbështetja e Rekës nga maqedonasit etnikë është më pak se 1%.

Për fat të keq një frymë e tillë është prezente te shumë politikanë dhe komentatorë politikë, madje edhe shqiptarë. Me lehtësi kalohet mbi figurën dhe kualifikimet e profesor Rekës dhe ai apriori diskualifikohet vetëm për shkak të përkatësisë së tij etnike. Prandaj pyetja e vërtetë në këto zgjedhje nuk është pse shqiptarët do të votojnë për Rekën, por pse thuajse nuk ka maqedonas që do të votojnë për të?

Në fillim thashë se si personalitete të tre kandidatët janë të denjë për funksionin kryetar. Megjithatë mendoj se Reka është favorit dhe më i përshtatshëm sepse ai nuk ka bagazhin e dy kandidatëve tjerë, pjesërisht të imponuar edhe nga partitë e tyre. Për shembull qëndrimet e Siljanoskës duken anakronistike dhe është kristal e qartë se premtimet e saja parazgjedhore janë vetëm fjalë boshe.

Emri i shtetit është ndërruar dhe është rruga e vetme për integrimet. Këtu nuk ka kthim prapa. E njëjta vlen edhe për ligjin e gjuhëve, i cili jo vetëm që nuk do të anulohet, por duhet të përmirësohet me ndërrimin e termit “gjuha e 20%” në “gjuhë shqipe”. I dyshimtë është edhe refuzimi i saj që të dënojë qartë e shkurtë ngjarjet e 27 prillit, që ishin akt i dhunës ekstreme ndaj institucioneve të shtetit, pikërisht ata që kryetari duhet t’i mbrojë.

Shtrohet edhe dilema se sa prej të dënuarve nga ai rast, dhe raste tjera nga sundimi i VMRO-së, është e gatshme Siljanoska të amnestojë nëse bëhet kryetare.

Nga ana tjetër edhe Pendarovski vuan nga e kaluara e tij dhe gabimet e partisë së tij në pushtet. Ai njëherë ishte kandidat dhe i humbi zgjedhjet. Është e vërtetë se në ato zgjedhje pati parregullsi dhe deri diku mban teza e tij se fitorja i është vjedhur, por ai tani është rrethuar pikërisht nga ca njerëz e parti që para pesë viteve ia vodhën atë fitore.

Është poashtu e vërtetë se ai kryesisht ka qëndruar anash gjatë këtij mandati dyvjeçar të SDSM-së, por njëkohësisht thotë se pajtohet me qëndrimet dhe veprimet e Zaevit 102.5%. Lënë anash aferat, lëshimet dhe gabimet e përditshme të qeverisë, megjithatë del se ai pajtohet me vendime të rëndësishme si amnestia për 27 Prillin, sundimi i dobët dhe selektiv i të drejtës, transformimi i PSP në institucion pa dhëmbë dhe një varg lëshimesh tjera.

Njëlloj relevante edhe për të është pyetja se sa persona është ai i gatshëm të amnestojë për pazare të përditshme politike. Në fund duhet të thuhet se pretendimi i tij se përkrahet nga të gjitha bashkësitë etnike është krejtësisht hipokrit. Ai nuk ka mbështetje të bashkësive etnike, por disa partive politike, të gjitha partnerë të dikurshëm të VMRO-së.
Profesori Reka nuk vuan nga bagazhe të tilla dhe prandaj është më i sinqerti kur flet për sundimin e së drejtës, transformimin e nevojshëm nga shteti i disave në republikë për të gjithë, ose për integrimet euroatlantike.

Kualifikimet e tij si profesor janë të mirënjohura, por ai poashtu ka përvojën e duhur politike si ish-ambasador në Bruksel. Në përgjithësi ai është më i përshtatshmi për lëmitë ku kryetari ka më së shumti ingerenca – politika e jashtme dhe siguria. Disa ja zënë për të madhe se flet vetëm për shqiptarët, por e vërteta është se ai flet edhe për shqiptarët, poaq sa edhe për republikën. I pëlqen dikujt ose jo, populli shqiptar në Maqedoni ka ca probleme specifike, që kanë të bëjnë me definimin e tij si komb statistikor dhe të drejtat e tij procentuale, gjëra për të cilat dy kandidatët tjerë nuk kanë aspak mirëkuptim.

Nëse Reka do fitonte vota edhe nga maqedonasit, ai do të ishte vërtetë kryetar i të gjithëve, sepse e flet maqedonishten me poaq lehtësi sa edhe shqipen dhe i kupton më së miri të dy komunitetet, e kjo u mungon në thelb dy kandidatëve tjerë, që as i njohin shqiptarët as gjuhën shqipe. Nëse vërtetë duam shoqëri për të gjithë, fjalë që dominon në diskursin e SDSM-së, Blerim Reka është kryetari i duhur i asaj republike dhe asaj shoqërie.
Por sipas të gjitha gjasave Blerim Reka nuk do t’i fitojë zgjedhjet dhe nuk do të bëhet kryetar, vetëm për shkak se është shqiptar.

Një kandidatë i njëjtë, me kualifikime të njëjta, të kaluar të njëjtë dhe retorikë të njëjtë, por etnikisht maqedonas, tani do të ishte pretendent serioz, madje edhe pa mbështetje nga partitë e mëdha. Por Blerimi nuk do të fitojë sepse ne akoma jemi me vite drite larg nga ajo që quhet “shoqëri për të gjithë”. Ky koncept fitoi në peshë kur një numër i madh shqiptarësh në vitin 2016 thyen barrierën etnike dhe votuan direkt për SDSM-në, pa asnjë pazar paraprak politik.

Megjithatë doli se ky kishte qenë proces në një drejtim. Nga SDSM thonë se edhe maqedonasit etnikë votuan kandidatë shqiptarë në zgjedhje lokale, por ai fenomen ishte pazar i pastër politik, kur SDSM urdhëroi mbështetësit e saj të votojonë Ramiz Merkon, Teuta Arifin, Blerim Bexhetin, Nevzat Bejtën e të tjerë.

E vërteta është se maqedonasit ende nuk e kanë kaluar atë prag dhe atë barrierë etnike që të votojnë kandidat shqiptar, qoftë ai edhe një person i kualifikuar si Reka.

Për atë përqindja e votave që do t’i merr Blerim Reka nga maqedonasit është parametri më i saktë se deri ku kemi arritur me “shoqërinë për të gjithë” dhe “republikën për të gjithë”. Për fat të keq kjo përqindje sigurisht do të jetë e ulët. Blerim Reka nuk ka ndonjë mangësi ose faj, por megjithatë është shqiptar dhe vetëm për këtë shkak nuk mund të fitojë.T1