Neymar “gjen veten” tek Cristiano Ronaldo, jo tek Messi

Neymar dhe Realit të Madridit, ka biseda, fjalë, kunja, fjali dashurie në distancë…por është edhe Cristiano Ronaldo. Duket se marrëveshja e madhe që braziliani të zëvendësojë portugezin sezonin tjetër, zhvillohet ngadalë, pa nxjerrë shumë në tregun e thashethemeve të sportit.

Nga ana tjetër, Neymar “bën diplomatin” kur intervistohet, e përpiqet të tregojë se është rritur mjaftueshëm për të marrë cdo përgjegjësi. Në një intervistë të fundit dhënë për “AS”, braziliani “I futi një furçë” CR7-ës, e një tip kunje në distancë Messit. “Cristiano është pasqyra ku unë shoh veten” – ka deklaruar Neymar, duke mos e fshehur admirimin për atë që ka bërë portugezi në futboll, por edhe duke shprehur në njëfarë mënyre, hierarkinë e preferencave të tij personale, mes dy më të mirëve të shekullit.

Megjithatë në fjalinë pasardhëse, “O Ney”, përpiqet “ta ndreqë” disi atë që tha: “Të gjithë do të donim të ishim si Ronaldo e si Messi” – tha braziliani. Fjalë të pakta, por që mediave u kanë mjaftuar për të bërë çarçafin e shkrimeve të tyre. Neymar ndërkohë foli edhe për rekordin e thyer nga Cavani për golat e shënuar me fanellën e PSG, duke theksuar se do të vazhdojë ta ndihmojë atë të shënojë edhe më tepër.

Por foli edhe për të ardhmen e tij në Paris, duke shpjeguar se ka mbërritur në kryeqytetin francez, për t’u bërë pjesë e historisë së këtij klubi. Megjithatë, nëse do të përpiqet më shumë sesa një sezon për ta bërë këtë, apo do të largohet me atë që do të marrë deri në qershor, kjo mbetet për tu parë. Prova e parë, kalon pikërisht përmes Madridit, kur PSG të ndeshet me Realin, për turin e radhës në Champions League.