Njohësi i zhvillimeve politike në vend, analisti politik Xhelal Neziri, në shkrimin e tij të fundit autorial për portalin analitik KDP, shkruan se iniciativës “Fronti për Europë” të liderit të BDI-së Ali Ahmeti, përveç partive shqiptare, mund ti bashkëngjiten edhe disa parti më të vogla opozitare maqedonase me orientim pro-evropian, transmeton Indeks.mk
“Partitë që janë pjesë e Qeverisë, si Alternativa, PDSH-ja, PLD, DOM, LD, ende nuk kanë thënë qëndrimin e tyre rreth idesë për një front evropian. Por, duke marrë parasysh diskursin e tyre publik dhe mbështetjen e dhënë për Propozimin Francez, pritet të jenë pjesë e këtij koalicioni. Me hyrjen eventuale të Aleancës për Shqiptarët (ASH) në Qeveri, atëherë ky front mund të zgjerohet edhe më shumë. Kreu i ASH-së, Arben Taravari, thuhet ti ketë shprehur gatishmëri Kovaçevskit që të mbështesë konceptin evropian, por gjithçka do të varet nga epilogu i bisedimeve për zgjerimin e koalicionit qeverisës”, shkruan Neziri.
Sipas tij, ky koalicion nuk do të përfshinte vetëm VMRO-DPMNE-në dhe LEVICA-n për shkak të qëndrimit të tyre kundër Traktatit të Miqësisë së Mirë me Bullgarinë, nga i cili buroi Propozimi Francez, dhe kundër Marrëveshjes së Prespës me Greqinë.
“Nga partitë shqiptare, tash për tash, vetëm Besa nuk ka treguar gatishmëri të jetë pjesë e frontit të madh për Evropë, edhe pse nuk ka paralajmëruar se do të kundërshtojë ndryshimet kushtetuese”, nënvizon Xhelal Neziri — analist politik.