Daut Dauti
Origjina e bakllavës është e vjetër dhe vjen nga Persia ose Asiria. Por, formën e sotme, me siguri edhe shijen, ia kanë dhënë otomanët në Stamboll, që pastaj e plasuan në botë së bashku me pushtetin e tyre. Historianët e ushqimit pohojnë se bakllava ka shkaktuar revolucion në sektorin e ëmbëlsirave të kuzhinës evropiane.
Bakllava në Hungari qe popullarizuar shumë sa që hungarezët e krijuan një ëmbëlsirë të re nga ndikimi i saj. Pasi që gatimi i bakllavës atyre iu dukej i shtrenjtë dhe i komplikuar, ata e thjeshtësuan procesin. Mes petave ku bakllava kishte arra ose pistaçe, ata vunë molla dhe kështu lindi shtrudlla me molla (Apfelstrudel). Në këtë mënyrë u menjanua sherbeti për shkak se sheqeri atëherë në Evropë ishte komoditet i rrallë dhe i shtrenjtë.
Austriakët thonë se ata e kanë gatuar shtrudllën para hungarezëve dhe kanë shënime për këtë gjë. Në bibliotekën e komunës së Vjenës gjendet një recetë e vitit 1697, që tregon se si pergatitet shtrudlla. Megjithatë, besohet se hungarezët janë të parët pasi që otomanët aty kishin mbërri më herët. Sidoqoftë, shtrudlla u bë bakllava e Evropës Qendrore dhe u popullarizua edhe më shumë kur në Vjenë otomanët e sollën edhe kafenë.
Llojet e bakllavave janë të ndryshme. Në fëmijërinë dhe rininë time në ëmbëltoret tona, dmth te gorani, ka pasur dy lloje bakllavash: turke dhe greke. Por, në shtëpitë tona është gatuar vetëm ajo turke. Bakllava greke ka pasur formë trekëndëshi dhe e krijuar nga mbështjellja e një pete kështu që copat kanë qenë të pavarura e jo të prera në tepsi sikur ajo turke. Pos kësaj, të dy llojet nuk kanë pasur brenda asgjë. Pra, pa arra dhe pistaçe, të cilat në bakllavat tona në Kosovë kanë ardhur vonë.
Sidoqoftë, bakllava është mbretëreshë e ëmbëlsirave dhe hallall i qoftë atij që e ka zbulu.