Ish Ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani ka reaguar në rrjetin social Facebook duke pyetur koalicionin Vlen se kujt i duhen zgjedhjet dhe votat e qytetarëve shqiptarë kur paska zgjidhje më të thjeshta.
”Qenka zbuluar një rrugë e re për të fituar legjitimitetin politik – jo me votat e qytetarëve, por thjesht duke “marrë hua” nga partitë maqedone!
Kujt i duhen zgjedhjet dhe votat e qytetarëve shqiptarë, kur paska “zgjidhje” të tjera më të thjeshta?Ndoshta edhe Kushtetuta duhet të përditësohet sipas kësaj “logjike”, ku legjitimiteti nuk buron nga populli, por nga kalkulime të larta politike. Shtrohe pyetja pse bëjmë zgjedhje fare… ” – tha Osmani.
Ka reaguar edhe Arijanit Hoxha kryetar I Partisë Demokratike Europiane.
”Është shumë e thjeshtë për ta kuptuar, ata që besojnë se legjitimiteti vjen nga partitë fituese maqedonase edhe veprimet e tyre i kanë duke i’u përgjigjur vetëm punëdhënësit të tyre, pra në rastin konkret VLEN i përgjigjet vetëm VMRO-DPMNE-së. Ne të tjerët që besojmë se legjitimiteti buron nga populli do vazhdojmë që përgjegjësi të japim vetëm para popullit tonë. Normalisht që ka dallim të jesh i përzgjedhur i popullit tënd dhe të jesh i përzgjedhur i fituesit në zgjedhje të popullit tjetër” – tha Hoxha.
Shkak i këtyre reagimeve ka qenë një deklaratë e deputetit të VLEN, Bekim Qoku.(INA)
Legjitimitet nuk janë numrat”, Qoku: BDI tregoi se legjitimitet është më shumë “Maliqi” se ligji