Nga java tjetër hapen restorantet dhe kafeteritë, por me kushte, shkurtohet ora policore

Qeveria e Maqedonisë së Veriut sot do të mbajë seancë, në të cilën do të shqyrtojë propozimin që të vazhdohen masat kufizuese edhe për një javë.

Komisioni për Sëmundje Infektive dje propozoi që ndalesa për qarkullim të qytetarëve prej orës 20:00 deri ora 05:00 që skadon sot, të vazhdohet edhe për një javë.

Rekomandimet gjatë ditës së djeshme janë rishikuar nga Shtabi i Krizës, institucion ky që ka propozuar që duke filluar nga data 27 prilli deri më 15 maj, ora policore të fillojë në orën 21:00, ndërsa lokalet të fillojnë të punojnë në ambientet e tyre të jashtme, si rrugicat, kopshtet apo tarracat që ata disponojnë.

Shtabi i Krizave ka propozuar që masat aktuale të përfundojnë më 27 prill. Qeveria gjatë ditës së sotme pritet të mbajë mbledhje ku edhe pritet të merret vendimi përfundimtarë në lidhje me masat për parandalimin e përhapjes së Covid-19.