Shkruan: Muhamer Pajaziti
Maqedonia e Veriut ka ngecur seriozisht në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, për shkak të një kombinimi kompleks faktorësh të brendshëm dhe të jashtëm. Konkretisht, bllokimi i procesit nga ana e Bullgarisë përmes së drejtës së vetos ka prodhuar një ngërç të thellë diplomatik e institucional, duke e vendosur vendin në një situatë stagnimi strategjik.
Mungesa e kompromisit dhe paaftësia për të kapërcyer kontestet dypalëshe jo vetëm që po zvarrisin integrimin, por po i shkaktojnë Maqedonisë humbje të pallogaritshme në aspektin ekonomik, politik, social dhe njerëzor.
Nëse ky proces dështon ose zvarritet pafundësisht, humbjet do të jenë të mëdha. Këtë realitet e ilustron më së miri shembulli i fqinjëve tanë, Bullgarisë dhe Rumanisë, të cilat, përmes integrimit në BE, kanë kaluar nga mjerimi e izolimi në zhvillim të qëndrueshëm dhe rritje të standardit jetësor.
Vetëm pak vite para se Bullgaria të bëhej anëtare e BE-së, qytetarët e saj vinin në tregjet e Maqedonisë për të shkëmbyer mallra të thjeshta me çamçakëzë, dhe me automjete të viteve ‘90 që mbuloheshin nga tymi. Bullgaria asokohe ishte simbol i varfërisë post-komuniste në Ballkan.
Edhe në pushimet verore, vendi ofronte pak – ushqimi më i mirë që mund të gjeje ishte një pulë e pjekur. Por pas anëtarësimit në BE, ajo realitet është transformuar rrënjësisht. Me qindra miliarda euro fonde strukturore evropiane kanë hyrë në vend, duke nxitur zhvillim infrastrukturor, rritje të punësimit, digjitalizim dhe zhvillim rural.
Shumë të rinj bullgarë kanë pasur mundësinë të studiojnë në universitetet më prestigjioze të Evropës dhe të punojnë ligjërisht në tregjet evropiane. Pas një periudhe emigrimi masiv, sot, një pjesë e tyre po rikthehen në atdhe për të investuar dhe për të ndërtuar të ardhmen e tyre. Bullgaria sot është vend anëtar me të drejtë të plotë vote – përfshirë edhe të drejtën e vetos – në tryezat ku merren vendimet më të rëndësishme të kontinentit, në barazi me Gjermaninë e Francën.
Rumania përfaqëson një tjetër histori suksesi. Deri vonë, qytetarët e saj vinin në Maqedoni përmes furgonëve e taksive të improvizuara, për të kaluar ilegalisht kufirin drejt Greqisë apo shteteve të tjera të BE-së, duke punuar në të zezë. Varfëria dhe mungesa e mundësive i kishin shndërruar në një nga popullsitë më të margjinalizuara të rajonit. Por me integrimin në BE, gjithçka ndryshoi.
Vetëm gjatë periudhës para anëtarësimit, Rumania përfitoi mbi 5 miliardë euro fonde para-aderuese, ndërsa nga fondet strukturore pas anëtarësimit për periudhën 2007–2013, vendi përfitoi 17.3 miliardë euro. Këto fonde janë vazhduar edhe më tej përmes kornizave financiare 2014–2020 dhe 2021–2027, duke mundësuar modernizimin e infrastrukturës, fuqizimin e sektorit bujqësor, krijimin e vendeve të reja të punës dhe ngritjen e kapaciteteve administrative.
Në të kundërt, Maqedonia e Veriut – pavarësisht përmbushjes së shumë reformave dhe ndryshimeve të dhimbshme (përfshirë ndryshimin e emrit) – vazhdon të mbetet në një dhomë pritjeje pa afat. Perspektiva e integrimit është mjegulluar dhe frustruar. Të rinjtë po largohen, investimet strategjike po vonohen, ndërsa qytetarët po e humbin besimin se BE-ja është ende një projekt real për ta. Mosintegrimi nuk është një status i përkohshëm – është një humbje që rritet përditë.
Për ta kapërcyer këtë ngërç të gjatë dhe të dëmshëm me Bullgarinë, Maqedonisë së Veriut i duhen intelektualë të guximshëm dhe politikanë vizionarë, që nuk veprojnë për përfitime afatshkurtra, por për interesin strategjik të vendit. Duhet një qasje e re, më dinjitoze, më e mençur dhe më aktive në diplomaci.
Por integrimi nuk mund të realizohet vetëm përmes zgjidhjes së mosmarrëveshjeve me fqinjët. Pa avancimin e të drejtave të shqiptarëve dhe komuniteteve të tjera etnike brenda vendit, pa barazi reale dhe funksionim demokratik, rruga evropiane do të mbetet formale dhe e zbrazët.
Vetëm një shtet i drejtë, gjithëpërfshirës dhe funksional mund të bëhet pjesë e familjes evropiane – çdo alternativë tjetër është humbje me pasoja afatgjata. (INA)