Nga libri i publicistit Mahi Nesimi “Vorbullime shqiptare”

MJERIMI

Ndërmjet atyre që e plotësojnë hapësirën – objekteve, më kryesor gjithsesi është njeriu. Por, ai për dallim nga objektet e tjera e ka edhe të drejtën, i është urdhëruar, është autorizuar, të veprojë aktivisht me qëllim që ta përkryejë mozaikun e objekteve. E ato, objektet, çdonjëri veç e veç, e kanë formën e vet. Disa janë të gjalla, disa jo. Disa janë të lëvizshme, disa jo. Çdonjëri prej tyre, pavarësisht nga vetitë e veçanta, me vetë ekzistimin në hapsirë, e kryejnë funksionin e vet. Çdonjëri në mënyrë të pavetëdijshme e ngushton, respektivisht e zvogëlon hapësirën në ambientin përkatës.

Rol të njëjtë luan edhe njeriu i cili është i pasur dhe i fisnikëruar edhe me veti, funksioni dhe detyra e të cilave është të orientojnë pozitivisht veprimin e objekteve të tjera. Do të thotë se funksioni i njeriut, pra ekzistimi i tij nuk mund të përmbushet vetëm me zvogëlimin e hapësirës natyrore. Duke u nisur nga obligimet e përcaktuara që duhet t’i kryejë, ai, njeriu, përveç të tjerash, është i “furnizuar” edhe me MEND dhe VETËDIJE. Do të thotë ai tashmë nuk është objekt i rëndomtë në natyrë, sepse prej të tjerëve dallohet me posedimin e vetive për të menduar dhe gjykuar, sepse di t’i dallojë gjërat, e posedon aftësinë e dallimit, që në të njëjtën ta dallojë të ndryshmen-të veçantën. Po a është ai vetë i përkryer? A ka vetë-njeriu ynë aftësi dhe virtyte që të arsyetojë qëllimin e ekzistencës së vet?

Sipas disa ndodhive, në këtë kohë-tonën, dhe në hapësirën tonë, mundësia, gjasat për të ndryshuar diçka, për të orientuar lëvizjet e ndryshme janë skajshmërisht të vogla, ato tejmase janë zvogëluar. Kjo po ndodh edhe për vet fajin tonë, sepse duket se tërësisht është varfëruar qenia e aktorëve, e njerëzve të caktuar për ta përkryer rrethin e vet-tonin.

Ai, njeriu, i mençur dhe i kuptueshëm, i begatuar me virtyte tërësisht të ndryshme nga gjallesat e tjera, tani është i varfëruar, i mungojnë në radhë të parë veçantitë, dallimet e dedikuara atij dhe llojit të tij. E pa këto karakteristika, është i zbrazët dhe shndërrohet në send; pa ndjenja, pa aftësi nuhatjeje të rrethit, pa kuptimin për ekzistencën individuale dhe ekzistencën e llojit të vet.

E tanishmja jonë e pasqyron paaftësinë dhe papërsosmërinë e njeriut-tonë, për t’u ballafaquar jo vetëm me natyrën dhe rrethin e vet, por as me vetveten. Ai nuk është i aftë të dallojë, të orientojë, të përfaqësojë. Atij tërësisht i kanë mbetur anash përparësitë dhe aftësitë e përgjithshme që i ka poseduar. Është kjo një gjendje në të cilën individi i caktuar në vend që t’i shfrytëzojë maksimalisht përparësitë e llojit të vet, ai ato nuk i bën hesap, shkel mbi virtytet njerëzore dhe haptas e dëshmon zbrazëtinë e vet dhe gatishmërinë për ikje nga e vetja-tjetërsohet. Ai nuk dëshiron të identifikohet me llojin e vet dhe pajtohet që të mbetet pa identitet. E lloji-i tij ka edhe rregulla edhe nevoja pavarësisht se sa ato janë të (pa)përkryera dhe (jo)reale. Por ato janë pikërisht ato rregulla dhe nevoja, ato të tilla janë. Por për të qenë i devotshëm është e nevojshme që nevojat dhe rregullat e llojit-bashkësisë të njihen dhe të çmohen si të tilla. Është e nevojshme që të kihet ndjenjë për rregullat e llojit-të bashkësisë, pavarësisht nga vendosja formale dhe organizative e llojit.
Rregullat dhe nevojat paraqesin një kornizë në suaza të së cilës duhet të lëvizin protagonistët e ndodhive, por posaçërisht të atyre me role të veçanta. Ato “të veçantët” mbi të gjitha është e nevojshme që ta zotërojnë veten, të dëshmohen se janë “të veçantë” ndërmjet të barabartëve. Dhe nëse posaçërisht ato, të dehur nga trajtimi “të veçantë” inercioni i hedh, i përjashton nga korniza, atëherë ngjarjet marrin një kah serioz, të padëshirueshëm. Atëherë seriozisht shqetësohet lloji dhe bashkësia. Në këtë rast, “të veçantët” i humbin privilegjet sepse nuk i arsyetojnë veçantitë e njeriut si send i veçantë në natyrë.
Identifikimi, dëshmimi i veprimit të drejtë të njeriut është i mundshëm me respektimin e vlerave dhe ndjenjën për nevojat e llojit. Tjetërsimi nga lloji është negacion i vetvetes dhe alienim i qenies – njerëzores.

Kështu ndodh që “i veçanti” ndërmjet të barabartëve në rrethin e vet nuk sheh, nuk dëgjon dhe nuk vepron. Ndodhitë në rrethin e tij “nuk kanë të bëjnë” dhe “nuk ndikojnë” as në të, as në rrethin e tij, madje as në llojin-e tij!!! Ai është “i lartësuar”, “i veçantë”, “i hyjnizuar” që të jetë AI “i veçanti”.
Tashmë AI nuk ka emër, ka nam të “të veçantit”. AI është “i veçantë” dhe gjendet kudo. Në mendimet e çdokujt. E gjithë kjo sepse AI mund t’ju punësojë, t’ju shpunësojë dhe prej jush të bëjë të veçantë. AI di dhe mundet t’ua ndryshojë mënyrën e jetës. Di t’ua imponojë ushqimin, ilaçet që do t’ju bëjnë më të këndshëm, më të hareshëm! AI di t’ju japë diçka që Ju e dëshironi, që prej Jush ta fitojë atë që AI gjithnjë tenton ta ruajë – trajtimin “i veçantë” ndërmjet të barabartëve. Kështu, AI në mënyrë të programuar kënaqet, ndërsa Ju pavetëdijshëm gëzoheni. Dhe me vetë kënaqësitë e ndërsjella AI bëhet më “i posaçëm”, ndërsa ju më i njëjtë në llojin tuaj. Kështu, AI në mënyrë permanente, ditë për ditë, zbrazet dhe vullnetarisht lirohet nga veçantitë e dedikuara njeriut. Ecja sipas skemave të “të veçantëve” do të thotë heqja dorë nga korniza e llojit. Kështu, “i veçanti” shndërrohet në send si të gjitha sendet e tjera të cilat e plotësojnë zbrazëtinë natyrore.

I këtillë është “i veçanti” ynë i këtyre ditëve, i cili për të qenë gjithnjë “i veçantë” ndaj të barabartëve, dhe llojit, përdor çfarëdo metodash-edhe të dhunshme. Ata-të barabartët, për ”të veçantin” janë sende – masë, turmë. Ato janë kategori e sendeve që duhet të heshtin, të durojnë dhe të vuajnë.
Kështu, dalëngadalë, por në mënyrë të sigurt “i veçanti” aq shumë zbrazet saqë as vetë nuk e di se kë përfaqëson. Atëherë, të barabartët fillojnë ta shikojnë “të veçantin” si një send të veçantë ndërmjet sendeve. Si i tillë ai është i çuditshëm për ta dhe e largojnë si të pavlefshëm. Pason dëshpërimi dhe esullimi i vonuar kur “i veçanti” ndërmjet të barabartëve tashmë nuk paraqet asnjë send të vlefshëm, por AI është vetëm një send i mjerë. (Janar, 2001)

P.S. Historiku i dy dekadave të kaluara shumë qartë po dëshmon se “të veçantët” e nënqiellit tonë përfunduan, po përfundojnë dhe duket se do të përfundojnë si sende të mjera e të pavlera.