Nga murtaja deri te MERS-i: Historia e shkurtër e pandemive

0

Më 11 mars Organizata Botërore e Shëndetësisë ka shpallur pandemi koronavirusin e ri, i cili ishte shfaqur për herë të parë në qytetin kinez Wuhan, gjatë fundit të vitit të shkuar.

Deri në qershor, më shumë se 6.3 milionë raste janë konfirmuar me COVID-19, sipas të dhënave të mbledhura nga Universiteti Johns Hopkins, ndërsa numri i vdekjeve të regjistruara në të gjithë botën ka kaluar 370-mijëshin.

Deri më tani nuk është gjetur asnjë vaksinë apo trajtim për koronavirusin, i njohur zyrtarisht si SARS-CoV-2. Disa nga masat më themelore për mbrojtjen kundër tij përfshijnë larjen e shpeshtë dhe të hollësishme të duarve me sapun dhe ujë, distancimin fizik dhe izolimin.

Këto rekomandime kanë qenë gjithashtu masat e përcaktuara për të parandaluar përhapjen e sëmundjeve të tjera, skajshmërisht ngjitëse që kanë goditur botën në të kaluarën.

Praktika e karantinës për sëmundjet ngjitëse u përmend në “Kanunin e mjekësisë”, shkruar nga polimati persian Ibn Sina (980-1037), i njohur më mirë në Perëndim si Avicena. Botimi i këtij librit daton nga viti 1025.

Fjala karantinë rrjedh nga fjalët italiane “quaranta giorni”, që në përkthim i bie 40 ditë.

Në vijim është një vështrim i shkurtër i disa prej pandemive më të rënda të së kaluarës.

Murtaja Justiniane (541-549)

Numri i të vdekurve: përafërsisht 30-50 milionë

Shkaktari: Murtaja bubonike

Ky ishte rasti i parë i regjistruar i murtajës. Ka marrë emrin sipas perandorit bizantin Justiniani I, i cili e kishte sëmundjen, por më pas u shërua. Kjo sëmundje u përhap te njerëzit nga brejtësit që strehonin pleshtat që e bartnin bakterin Yersinia pestis. Minjtë që e përhapën kryesisht e përçonin sëmundjen përmes lundrimit të anijeve e karrocave.

Qendra politike dhe tregtare e Perandorisë Bizantine, Kostandinopoja, (Stambolli i ditëve të sotme) u godit më së rëndi. Sipas historianëve antikë, pandemia linte të vdekur deri në 10.000 njerëz brenda një dite, megjithëse historianët modernë pretendojnë se numri mund të ketë qenë afro 5000.

Pandemia nuk u përhap vetëm në Kostandinopojë. Por përfshiu të gjithë Perandorinë Osmane, e goditur po ashtu nga lufta dhe tregtia, duke lënë të vdekur afro 25 për qind të popullsisë.

Pandemia u rikthye çdo 12 vjet, deri përafërsisht në vitin 750, duke e përfshirë më se gjysmën e popullsisë së Evropës (rreth 100 milionë njerëz).

Vdekja e Zezë (1346-1353)

Numri i të vdekurve: midis 75 deri 200 milionë.

Shkaktari: Murtaja bubonike.

Vdekja e zezë shkatërroi Evropën, Afrikën dhe Azinë, duke lënë të vdekur diku midis 75 deri në 200 milionë njerëz, për ta bërë atë shpërthimin më vdekjeprurës të sëmundjes në historinë e regjistruar.

Njëjtë si Murtaja e Justinianit, ajo u shkaktua nga bakteri Yersinia pestis, që fshihej në minj. Anijet që mbanin minjtë mundësuan që ajo të përhapej midis kontinenteve. Emri “Vdekja e Zezë” i mbeti për shkak të njollave të zeza që i formonte në lëkurën e të infektuarve.

Sipas disa rrëfimeve, shpërthimi i parë i Vdekjes së Zezë në Evropë ndodhi në Caffa, në Gadishullin e Krimesë. Në vitin 1346, ky port i rëndësishëm tregtar u rrethua nga ushtria mongole, e cila kishte pushtuar tokat në të gjithë Azinë. Megjithëkëtë, shumë prej ushtarëve ishin të infektuar nga murtaja. Kur iu nënshtruan asaj, ushtria dogji kufomat e tyre mbi muret e qytetit, duke bërë që njerëzit që banonin brenda qytetit të infektoheshin.

Pandemia e tretë e kolerës (1852-1860)

Numri i të vdekurve: Përafërsisht 1 milion

Shkaktari: Kolera

Sipas OBSH-së, ka pasur shtatë epidemi kolere në botë. Ajo që pati ndikimin më të madh global ishte pandemia e tretë, e vitit 1852.

Filloi në Indi, përpara se të përhapej edhe në pjesën tjetër të Azisë dhe në disa pjesë të Evropës, në Amerikën e Veriut dhe në Afrikë.

Kolera shkaktohet nga ngrënia e ushqimit ose konsumimi i uji të kontaminuar me bakterin vibrio. Mund të rezultojë me sëmundje akute që shkakton diarrenë dhe mund ta gjenerojë vdekjen brenda vetëm disa orëve, po qe se nuk trajtohet.

Sipas OBSH-së, ende janë rreth 1.3 milionë deri në katër milionë raste aktive të kolerës për çdo vit, me 21.000 dhe 143.000 vdekje të regjistruara.

Pandemia e gripit (1889-1890)

Numri i të vdekurve: së paku 1 milion

Shkaktari: Gripi A, nëntipi H3N8

Kjo konsiderohet si pandemia e fundit më e madhe e shekullit nëntëmbëdhjetë. Është një lloj i veçantë i gripit që njihej si “Gripi Aziatik” ose “Gripi Rus”, me gjasë ngase origjinën e kishte në rajonin e Azisë Qendrore të Perandorisë Ruse.

Pandemia u përhap shpejt, e ndihmuar nga ekzistenca e formave moderne të transportit, si hekurudhat dhe udhëtimi transatlantik me anije. Në fakt, u deshën vetëm katër muaj për të rrethuar planetin, duke arritur kulmin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 70 ditë pas pikut të tij në vendin e origjinës, në Shën Petersburg.

Pandemia e gjashtë e kolerës (1899-1923)

Numri i të vdekurve: 800.000

Shkaktari: Kolera

Kolera kaloi në disa faza dhe mishërimi i gjashtë i saj në vitin 1910, sikurse të tjerat para saj, filluan në Indi.

Ajo la të vdekur me qindra mijëra njerëz para se të përhapej në pjesë të ndryshme të Lindjes së Mesme, të Afrikës së Veriut, Evropës dhe Rusisë.

Përhapja e kolerës është e lidhur ngushtë me qasjen e pamjaftueshme në ujërat dhe ambientet e pastra. Nevojiten 12 orë dhe pesë ditë që një person i prekur t’i shfaqë simptomat, pasi të hajë ushqim ose të pijë ujë të kontaminuar.

Gripi Spanjoll (1918-1919)

Numri i të vdekurve: përafërsisht 20-100 milionë

Shkaktari: Gripi H1N1 – Origjina e shpendëve

Rastet e para të identifikuara të kësaj sëmundjeje të veçantë të gripit u regjistruan në pranverën e vitit 1918 mes ushtarëve amerikanë gjatë Luftës së Dytë Botërore, përpara se të përhapej në gjithë botën dhe të infektonte të paktën një të tretën e popullsisë globale.

Megjithëse numri i të vdekurve prej saj nuk dihet me saktësi, shumë vlerësime e paraqesin këtë shifër në më shumë se 50 milionë dhe disa deri në 100 milionë, duke e bërë atë pandeminë më vdekjeprurëse që nga Vdekja e Zezë.

Në SHBA ky grip u quajt si “Gripi Spanjoll”, megjithëse studiuesit nuk mund të identifikonin origjinën gjeografike të sëmundjes. Sidoqoftë, rastet e sëmundjes u raportuan gjerësisht në Spanjë, e cila nuk ishte e përfshirë në Luftën e Dytë Botërore dhe për këtë arsye nuk iu nënshtrua lajmeve nga koha e luftës, ndoshta duke krijuar një përshtypje të rreme që kishte origjinën atje.

Ajo që ishte veçanërisht e rëndësishme për këtë shpërthim ishte efekti i saj tek të rriturit e shëndetshëm, ndryshe nga shpërthimet e mëparshme ku imuniteti i të rriturve dhe të miturve kishte qenë më i ndjeshëm.

Pa asnjë vaksinë, kjo pandemi pati dy shpërthime. Shpërthimi fillestar ishte më i butë se i dyti. Ushtarët që ktheheshin nga zonat e luftës i kontribuuan shpërthimit të dytë.

Komunitetet vendosën karantina, zbatuan masën e bartjes së maskave ​​dhe ndaluan tubimet publike, si një mënyrë për të luftuar pandeminë. Mendohet se këto masa, të kombinuara me njerëzit që zhvillojnë imunitet ndaj tij, ndihmuan për t’i dhënë fund pandemisë, megjithëse ekziston edhe një teori që virusi ndryshoi shpejt në një version më pak vdekjeprurës, duke rezultuar në një rënie të thukët të shkallës së infeksioneve dhe vdekjeve.

Gripi aziatik (1956-1958)

Numri i të vdekurve: të paktën 1.1 milionë

Shkaktari: Gripi A – nëntipi H2N2

Rasti i parë i gripit aziatik u identifikua në Kinë në vitin 1956. Nga atje, ai u përhap në Singapor, Hong-Kong dhe në Shtetet e Bashkuara. Kishte gjithashtu raporte se u përhap edhe në Indi, në vitin 1957. Studimet kanë sugjeruar se pandemia kishte origjinën nga llojet e viruseve të gripit të shpendëve dhe njerëzve.

Simptomat, të cilat përfshinin humbjen e fuqisë në këmbë, të dridhurat, dhimbjet e fytit, rrjedhjen e hundëve dhe kollën, shfaqeshin menjëherë pas ekspozimit ndaj virusit.

Kishte dy valë të këtij shpërthimi, por përhapja e infeksionit u ngadalësua pas zhvillimit të një vaksine në gusht të vitit 1957.

Gripit pandemik i Hong-Kongut (1968)

Numri i të vdekurve: përafërsisht 1 milion

Shkaktari: Gripi A – H3N2, nënlloji i H2N2

Rasti i parë i raportuar i kësaj pandemie ishte në korrik të vitit 1968, në Hong-Kong. Përhapjet ndodhën në Singapor dhe Vietnam, ku brenda 12 javësh mbërthyen edhe pjesë të tjera të botës, duke përfshirë edhe Afrikën dhe Amerikën e Jugut. Në SHBA vdiqën rreth 100.000 persona, si pasojë e pandemisë.

Mutacioni i virusit të gripit të mëparshëm aziatik në vitin 1956 ka ndikuar që të krijohet variacioni H3N2, në një proces të quajtur ndërrim antigjenik, në të cilin virusi pësoi ndryshim thelbësor.

Shkalla e vdekshmërisë ishte dukshëm më e ulët se në shpërthimet e mëparshme të gripit, me një raport rast-fatalitet nën 0.5 për qind. Ka të ngjarë që njerëzit, të cilët ishin të ekspozuar ndaj pandemisë së mëparshme, të jenë imunizuar ndaj këtij virusi të veçantë.

Kujdesi i përmirësuar mjekësor dhe disponueshmëria e antibiotikëve për infeksione dytësore bakteriale janë përmendur gjithashtu si faktorë për përhapjen më të ngadaltë të sëmundjes. Virusi H3N2 është në qarkullim edhe sot e kësaj dite, si virusi i gripit sezonal A.

Pandemia e HIV/Aids-it (1981-)

Numri i të vdekurve: 32 milionë

Shkaktari: Virusi i imunitetit të njeriut (HIV) që sulmon qelizat që ndihmojnë trupin të luftojë infeksionet. Nëse nuk trajtohet, mund të shpjerë në sëmundjen SIDA.

HIV-i sulmon dhe shkatërron një lloj qelize të bardhë të gjakut në sistemin imunitar, të quajtur qeliza CD4 ose T-Helper, dhe shumohet brenda këtyre qelizave. Ndërsa shkatërron më shumë prej këtyre qelizave dhe arrin të krijojë shumë kopje të vetvetes, sistemi imunitar dobësohet gradualisht, duke ia vështirësuar trupit luftimin kundër infeksioneve të tjera. Faza e fundit e një sistemi imunitar të dobësuar është SIDA. SIDA u raportua për herë të parë në vitin 1981.

Bartja nga njeriu te njeriu ka ndodhur përmes kontaktit seksual të pambrojtur, ndarjes së gjilpërave me një person të infektuar me HIV dhe transfuzioneve të gjakut të kontaminuar.

Pothuajse një milion njerëz vdesin çdo vit për shkak të SIDA-s. Sipas OBSH-së, e cila i referohet asaj më shumë si një epidemi globale sesa si pandemi, në rajone të caktuara të Afrikës, të cilat mbetën më të prekurat, një në çdo 25 persona është duke jetuar me HIV. E kjo shifër përbën më shumë se dy të tretat e popullatës në nivel global.

Sindroma e rëndë akute respiratore SARS (2002-2003)

Numri i të vdekurve: 774

Shkaktari: SARS-CoV

Sipas qendrave amerikane të Kontrollimit dhe Parandalimit të Sëmundjeve Ngjitëse, SARS-CoV mendohet të jetë një variacion i koronavirusëve që buroi nga një deponi e pasigurt kafshësh. Besohet të jenë lakuriqët ata që përhapën atë te kafshët e tjera dhe më pas te njerëzit. Personat e parë të infektuar ishin në krahinën Guangdong, të jugut të Kinës, në vitin 2002.

SARS-CoV u përhap në të paktën 26 vende dhe infektoi më shumë 8000 njerëz, megjithëse numri i të vdekurve konsiderohej shumë i ulët në krahasim me pandemitë e tjera.

Simptomat janë të ngjashme me gripin dhe përfshijnë ethe, dhimbjen e kokës, diarrenë dhe dridhjet. Edhe në kulmin e pandemisë, në vitin 2003, rreziku i përgjithshëm i bartjes ishte i ulët.

Singapori, Hong-Kongu dhe Tajvani u goditën më rëndë, duke i shtyrë këto vende që të caktojnë protokolle mjekësore në pritje të pandemive të ardhshme.

MERS – sindroma akute respiratore e Lindjes së Mesme (2012-)

Numri i të vdekurve: 858

Shkaktari: MERS-CoV

MERS-CoV, një lloj koronavirusi, u identifikua për herë të parë në Arabinë Saudite në vitin 2012.

Koronavirusët janë një familje e madhe virusesh që mund të shkaktojnë sëmundje, të cilat fillojnë nga ftohja e zakonshme deri tek SARS-i.

MERS-i është një sëmundje virale e frymëmarrjes, me simptoma që përfshijnë ethe, kollë dhe gulçim.

Që nga janari i vitit 2020, rreth 2519 persona janë infektuar me të. Ka një shkallë jashtëzakonisht të lartë të fatalitetit, në krahasim me koronavirusët e tjerë, duke e shkaktuar vdekjen e gati 35 për qind të atyre që e kontraktojnë.

(Al-Jazeera)