Nga plani franko-gjerman në propozim të Brukselit: Çka dihet deri më tani?

Pas arritjes së marrëveshjes për targat ilegale serbe mes Kosovës dhe Serbisë më 23 nëntor, kryediplomati evropian, Josep Borell, paralajmëroi se në ditët në vijim do t’i ftojë liderët e të dyja shteteve në Bruksel për të diskutuar për “Propozimin e Brukselit”, të mbështetur nga Franca dhe Gjermania.

Por, çka dihet deri më tani lidhur me këtë propozim?

Që nga vera nëpër duart e zyrtarëve të Kosovës dhe Serbisë është duke qarkulluar një dokument që u quajt plani franko-gjerman, e që sipas zyrtarëve të Bashkimit Evropian, ka për qëllim normalizimin e raporteve mes të Kosovës dhe Serbisë.

Ky dokument është një propozim i mbështetur nga Franca dhe Gjermania, por që zyrtarët e BE-së e quajtën ‘propozim evropian’.

Derisa dokumenti nuk ka dalë zyrtarisht në opinion, nga goja e politikanëve në Kosovë, e po ashtu edhe në Serbi kanë dalë detaje të rëndësishme.

Çfarë janë pajtuar Kosova dhe Serbia për targa?
Negociatat janë zhvilluar në Bruksel më 23 nëntor mes të dërguarit të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, dhe kryenegociatorëve të Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq.

Me marrëveshjen për targa, sipas kryediplomatit evropian, Josep Borell, Kosova do t’iu japë fund veprimeve të mëtejme të lidhura me riregjistrimin e makinave, derisa Serbia nuk do të lëshojë më targa të makinave me emra të qyteteve të Kosovës.

Hollësitë shtesë të marrëveshjes nuk janë bërë të ditura. Por, kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq ka thënë se me marrëveshjen e arritur mbeten në qarkullim tabelat KM (Mitrovicë e Kosovës), të cilat, sipas tij, do të mund t’i përdorin serbët në veri të Kosovës dhe nuk do të gjobiten për diçka të tillë.

“Kjo do të thotë, ndër të tjera, se absolutisht të gjithë pronarët e makinave që kanë targa KM do të mund t’i regjistrojnë automjetet e tyre normalisht dhe të zgjasin vlefshmërinë e targave KM. I vetmi vend ku do të ndalemi, do të ndalemi me lëshimin e targave fizike tërësisht të reja KM deri në momentin kur të gjejmë një zgjidhje përfundimtare për targat”, ka thënë Petkoviq.

Çfarë thanë deri më tani zyrtarët në Kosovë lidhur me planin franko-gjerman?
Më i hapuri për propozimin franko-gjerman ka qenë kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Në një intervistë për Klan Kosovën, më 8 nëntor, ai deklaroi se “esenca e propozimit është se Serbia heq dorë prej Kosovës”.

“[Propozimi] ndërtohet mbi tri principe. E drejta e barabartë mes shteteve, respektimi reciprok i sovranitetit dhe është e drejta e palëve për vetëvendosje”, tha Konjufca.

Ai e quajti bazë të shëndoshë këtë propozim pasi tha se nëse Serbia pajtohet që të respektojë sovranitetin dhe të drejtën e vetëvendosjes, atëherë, sipas tij, “kjo është më e rëndësishme sesa njohja verbale [nga Serbia]”.

Por, Konjufca shprehu edhe rezerva sa i takon këtij propozimi pasi mes tjerash tha se ai obligon Kosovën që të respektojë të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tani.

Për disa javë rresht Qeveria dhe Presidenca e Kosovës nuk e pranuan ekzistencën e propozimit franko-gjerman, ani pse një draft ishte publikuar në media.

“Aty, në dokument, Serbia ka për të pranuar gjithçka që prodhon Kosova. Prej pasaportave e duke përfshirë edhe targat”, tha kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca.

Më 10 nëntor, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani-Sadriu, tha se ky propozim “shërben si bazë e mirë për diskutime të mëtejshme [në dialogun Kosovë-Serbi]”.

Por, edhe pse nuk ka publikuar ndonjë draft zyrtar, Qeveria e Kosovës i është përgjigjur Bashkimit Evropian me komentet rreth propozimit.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti vazhdimisht po i shmangë komentet sa i takon përmbajtjes së propozimit franko-gjerman, por për të ishte i interesuar të diskutonte të hënën, më 21 nëntor, në takim me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, në Bruksel.

Këtë ditë, ky propozim, sipas tij, nuk ishte fare në tryezë pasi lehtësuesit e dialogut, përfaqësuesi i Lartë i për Politikë të Jashtme i BE-së, Josep Borrell dhe i emëruari i BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Mirosllav Lajçak, “e hoqën nga diskutimi për t’ia përshtatur qëllimin Serbisë” – diskutimin vetëm për targa.

“Qëllimi i madh u hoq nga agjenda. Nevoja e madhe për propozimin evropian me mbështetje franko-gjermane u zhduk nga tavolina duke iu përshtatur qëllimit të Serbisë, presidenti i së cilës kishte ardhur në Bruksel jo për propozimin e BE-së [ i referohet propozimit franko-gjerman] por për targat”, deklaroi Kurti të mërkurën.rel