Shkoi në Gjermani si fëmijë me prindër refugjatë, por tani Arianit Besiri ka bërë historinë: është bërë kryetari i parë shqiptar i një komune në këtë shtet.
Me mbi 60% të votave të fituara, zyrtarizimi i tij në drejtimin e komunës së Morbachut, me mbi 10 mijë banorë, është bërë në fund të muajit që lamë pas.
Klankosova.tv ka zhvilluar një intervistë ekskluzive me Besirin, i cili ka folur për rrugëtimin e tij në politikë dhe të gjitha vështirësitë e arritjet që i pati. Ai është shprehur se për të arritur këtu ku është tani, i është dashur që të punojë shumë.
“Rruga nuk ka qenë gjithmonë e lehtë. Ne jetojmë në një shoqëri që vlerëson performancën, ku suksesi lidhet me një integrim të mirë. Narrativa pas kësaj thotë: Kush punon shumë, del nga vështirësitë. Fatkeqësisht, kjo nuk është realiteti. Shumë njerëz punojnë shumë, por nuk ia dalin dot vetëm me forcat e tyre. Këtu duhet bërë akoma shumë përmirësime. Njerëzit me histori migrimi, mesatarisht, marrin paga më të ulëta se vendasit dhe ky është një problem socio-ekonomik. Unë besoj se njeriu mund të ndikojë në ato gjëra që ka në dorë vetë. Duhet t’i qëndrojmë kësaj ideje, dhe kjo fillon që në mëngjes, kur ngrihemi dhe rregullojmë shtratin tonë”, ka thënë Besiri.
Ai thotë se zgjedhja e tij në krye të komunës Morbach u prit goxha mirë nga të gjithë banorët – nga gjermanët, rusët, boshnjakët – e sigurisht edhe nga shqiptarët e Kosovës.
“Gjermanët u gëzuan shumë që unë u bëra kryetar bashkie. Në vend kam pasur një mbështetje të madhe, dhe njerëzit lidhin shpresat e tyre me mua. Së bashku me ta dua të realizoj gjëra të mëdha dhe ta çoj përpara Morbachun”.
“Shumica e njerëzve janë gjermanë, disa gjermano-rusë dhe disa minoritete të tjera. Kam marrë një mbështetje të gjerë nga popullsia. Më kanë mbështetur njerëz rusë, boshnjakë dhe nga Kosova. Nuk ka pasur asnjë dallim. Në fushatën zgjedhore, një familje shqiptare nga Vushtrria më ftoi për të ngrënë pite dhe për të pirë çaj. Ishte shumë bukur”, u shpreh Besiri.
Ndonëse jeton dhe vepron në Gjermani, dashuria ndaj atdheut, Kosovës, nuk i është shuar asnjëherë. Besiri tregon se në vendlindje vjen zakonisht një herë në vit, gjatë stinës së verës.
“Unë vij të paktën një herë në vit në Kosovë, zakonisht gjatë verës, kur të gjithë janë aty. Atmosfera është thjesht e mrekullueshme dhe njerëzit janë me humor të mirë. Edhe pse jam rritur në Gjermani, ndiej një ndjenjë të veçantë atdheu në Kosovë”.
Arianit Besiri foli edhe për sfidat që e presin tash si kryetar i Morbach. Sipas tij, investime duhet të ketë fillimisht për të garantuar sigurinë e njerëzve, e më pas të sigurojë sa më shpejt që të jetë e mundur kujdesin mjekësor në zonat rurale.
Ai tha se edhe kopshtet e fëmijëve duhet të rinovohen, ndërsa dëshiron të ndërtojë më shumë banesa në Morbach, sidomos në pjesët e fshatrave.
“Kështu, më shumë njerëz do të kenë hapësirë për të jetuar; të rinjtë mund të ndërtojnë jetën e tyre, ndërsa të moshuarit mund të plaken në qetësi”.
Ambiciet në politikë, për Besirin nuk përfundojnë këtu. Ai dëshiron të bëhet edhe kryetar i rrethit ku bën pjesë komuna Morbach.
“Fillimisht dua të bëj një punë shumë të mirë në Morbach. Më sjell kënaqësi të punoj me njerëzit dhe të realizojmë gjëra të mira së bashku. Jam plotësisht i motivuar të zbatoj përmirësime të prekshme në bashkëpunim me këshillin komunal. Çfarë vjen më vonë, duhet parë. Dy paraardhësit e mi janë bërë kryetarë të rrethit. Kjo pothuajse është bërë një automatik këtu”, u shpreh Arianit Besiri.
Ndër tjera, ai theksoi se para politikës ishte i angazhuar dhe në futboll. Ai tha se që nga viti 2017 është i angazhuar në Komisionin për Përgjegjësinë Shoqërore të Federatës së Futbollit.
“Ne fëmijët e emigrantëve kemi pasur kontakt të hershëm me institucionet gjermane dhe autoritetet, sepse zakonisht flisnim më mirë gjermanisht se prindërit tanë. Kështu që kemi kryer procedura administrative dhe kemi ndihmuar fqinjët dhe komunitetin përreth”.
“Që nga viti 2017, jam angazhuar në Komisionin për Përgjegjësinë Shoqërore të Federatës së Futbollit dhe që nga viti 2022 jam nënkryetar i Federatës së Futbollit të Rheinlandit. Fusha ime e përgjegjësisë përfshin Përgjegjësinë Shoqërore”, ka pohuar Arianit Besiri.
Më 24 nëntor u mbajtën zgjedhjet për kryetar të komunës Morbach. 31-vjeçari Arianit Besiri mposhti Marco Theesin nga Hoxel./KlanKosova