Nga sot ndalohet hyrja me targa serbe në Kosovë, forca të mëdha policore në veri

Nga sot, të gjitha automjetet që mbajnë targa të Serbisë dhe hyjnë në Kosovë, duhet të pajisen me targa të përkohshme, raporton Express

Asnjë veturë që niset nga Serbia drejt Kosovës, nuk mund të kalojë në pikat kufitare, pa u pajisur me targat e përkohshme të Republikës së Kosovës.

Vendimi për këtë është nënshkruar sot, nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Ndërkaq tashmë kanë nisur të hyjnë veturat e para nga Serbia në Kosovës, të cilave nëpër pikat kufitare po iu vendosen tabelat e përkohshme.

Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosovës janë pozicionuar në zonën kufitare Kosovë – Serbi në Jarinje, në mbështetje të procesit të reciprocitetit ndaj Serbisë qe pritet të fillojë sot, sa i përket targave të automjeteve.

Kështu bëjnë të ditur burime të KosovaPress-it nga veriu. Të njëjta burime tregojnë se situata e ngjashme është edhe në Bërnjak.

Ndërkohë që qytetarët me kamionë kanë bllokuar rrugën në dy lokacione që shpien në drejtim të kufirit Bërnjak. Një në Zubin Potok dhe një në Gazivodë.

Qytetarët kanë bllokuar rrugën me kamionë edhe në drejtim të kufirit të Jarinjes, përkatësisht në Leposaviq. (INA)