Prej sot për të udhëtuar në Greqi nuk është më i nevojshëm formulari online PLF, që ishte në fuqi si dokument i detyrueshëm tashmë 20 muaj, për shkak të pandemisë.
Formulari elektronik PLF (Passenger Locator Form) i cili më parë ishte i nevojshëm për udhëtime dhe hyrje në Greqi, nga sot është hequr zyrtarisht dhe mbeten në fuqi rregullat aktuale për dokumentin e detyrueshëm për Covid-19, tha korrespondenti i MIA-s nga Athina.
Ministri i Turizmit i Greqisë, Vasilis Kikilias, dhjetë ditë më parë njoftoi se “me rekomandim të Komisionit të Epidemiologëve të Ministrisë së Shëndetësisë, nga data 15 mars 2022, Formulari PLF do të shfuqizohet. Ai shtoi se heqja lehtëson procesin e hyrjes së turistëve dhe theksi do të jetë në kontrollin e certifikatave.
Shërbimi i Aviacionit Civil të Greqisë ka lëshuar edhe udhëzime për pasagjerët që vijnë në Greqi me rrugë ajrore, duke kujtuar se sot hyn në fuqi vendimi për shfuqizimin e PLF, i cili vlen për të gjitha fluturimet nga jashtë.
Paralelisht, rregullat e tjera për udhëtimin në Greqi mbeten të pandryshuara, kështu që një certifikatë vaksinimi evropiane (e vlefshme për nëntë muaj pas dozës së dytë ose e pakufizuar në rast të një doze përforcuese) ose një certifikatë evropiane për Covid-19 (180 ditë që kur keni kaluar virusin) ose test PCR negativ/test i shpejtë.
Plotësimi i detyrueshëm i formularit PLF u prezantua nga Greqia më 1 korrik 2020, kur pas valës së parë të Covid-19 dhe karantinës së parë, filloi gradualisht të hapte kufijtë për shtetasit e huaj.(INA)