Nga vdekja e parakohshme te problemet e zemrës, anashkalimi i vakteve ka pasoja të rënda shëndetësore

Anashkalimi i mëngjesit, drekës apo darkës mund të ketë efekte shumë serioze në shëndet. Sipas një studimi të ri, ndërprerja në rimbushjen e energjisë në trup mund të ketë pasoja vdekjeprurëse dhe probleme kardiovaskulare.

Kurseni kohë, por shkurtoni jetën

Studimi i kryer nga të dhënat e më shumë se 24,000 amerikanëve mbi moshën 40 vjeç, zbuloi se kufizimi i vetes në vetëm një vakt të vërtetë gjatë ditës lidhet me një rrezik më të lartë të vdekshmërisë së hershme. Anashkalimi i mëngjesit lidhet me një rrezik më të lartë të vdekjes nga problemet e zemrës ose enëve të gjakut dhe anashkalimi i drekës ose darkës lidhet me një gjasë më të lartë për të vdekur herët nga shkaqe të ndryshme, duke përfshirë ato kardiovaskulare.

Përfundimet e studimit që u publikuan në “Journal of the Academy of Nutrition and Dietetics”, vënë në pikëpyetje përfitimet e praktikës së agjërimit me ndërprerje dhe nënvizojnë rëndësinë e përkushtimit të kujdesit dhe vëmendjes ndaj ushqyerjes së trupit në kohën e duhur.

Mënyrë jetese e dëmshme

“Hulumtimi ynë zbulon se njerëzit që hanë vetëm një vakt në ditë kanë një rrezik më të lartë të vdekjes së hershme sesa ata që hanë vakte të shumta gjatë ditës”, tha Yangbo Sun, një epidemiolog në Universitetin e Tenesit dhe një nga autorët e studimit. Problemet lindin kur anashkalimi i vakteve bëhet zakon, siç ishte rasti për 30% të pjesëmarrësve në studim, një grup që përfshinte kryesisht meshkuj të rinj, me ngjyrë dhe me nivele më të ulëta arsimimi dhe të ardhura modeste familjare.

Lidhje kuptimplotë

Zakoni i heqjes dorë nga vaktet është më i zakonshëm tek ata që pinë më shumë duhan dhe pinë më shumë alkool, tek ata që nuk kanë akses në ushqim të mjaftueshëm me vlera ushqyese, tek njerëzit që konsumojnë më shumë ushqime të lehta dhe ushqime jo të shëndetshme, të cilat japin më pak energji.

Studimi nuk hetoi thellë për të përcaktuar nëse anashkalimi i vakteve është shkaku i drejtpërdrejtë i vdekshmërisë së hershme dhe problemeve kardiovaskulare. Përkundrazi ka nxjerrë në pah një korrelacion, i cili duket se mbetet i vlefshëm, edhe kur kushtet e tjera të rëndësishme për stilin e jetës ndryshojnë , d.m.th nëse pini duhan, nëse kryeni aktivitet fizik, sa alkool konsumoni apo çfarë lloj ushqimi sillni në tavolinë.

Një koncentrat energjie

Një shpjegim i mundshëm për rrezikun e gjetur, që do të konfirmohet në studime të mëtejshme, është se anashkalimi i vakteve çon në marrjen e të gjitha kalorive që na nevojiten menjëherë, duke shkaktuar çekuilibër, për shembull në rregullimin e glukozës dhe menaxhimin e dobët të metabolizmit. Jo çuditërisht dhe për të njëjtat arsye, edhe ngrënia e të tre vakteve, por në kohë që janë shumë afër njëra-tjetrës, me më pak se 4.5 orë diferencë, lidhet me një rrezik më të madh të vdekshmërisë së hershme.

Këto janë konsiderata që duhen marrë parasysh kur oraret e punës, angazhimet familjare, presioni social, modat e ushqimit ose problemet ekonomike kombinohen për të kufizuar marrjen e ushqimit në një ose dy raste vetëm gjatë ditës. /A2CNN