Ngjela: Ky është skenari i Vuçiqit me Kosovën, ja çfarë duhet të ketë kujdes Kurti

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, do të takohen më 19 korrik në Bruksel.

Krerët e të dy vendeve deri tani nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre dhe nuk ka pasur asnjë përparim në drejtim të arritjes së marrëveshjes përfundimtare, e që është njohja e ndërsjellët.

Avokati dhe publicisti Spartak Ngjela, i cili është edhe njohës i thellë i çështjeve politike e kombëtare, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka folur lidhur me zhvillimet e fundit në Kosovë, me theks të veçantë për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Ngjela ka deklaruara se politika e qeverive të Kosovës përgjatë këtyre viteve, ka gabuar në lidhje me intensitetin kërkues të njohjes së Kosovës nga Serbia.

“Kosova nuk është një shtet i vogël sot, sepse ai është shumë i njohur dhe shume i rëndësishëm në politikën globale, dhe, me historinë e saj, Kosova i ka dhënë shumë forcë edhe Shqipërisë. A nuk e keni parë ju këtë? Por, politikanët e qeverive të Kosovës, kanë vepruar ndaj Serbisë me komplekse inferioriteti. Ky defekt psikologjik ishte i natyrshëm që mund të vinte, sepse e kanë kaluar, po kësisoj, të gjithë popujt e kolonive. Por, në lidhje me Kosovën, duhet të kujtohemi se ka qenë edhe presioni ndërkombëtar, që shpesh nuk kuptohej se çfarë kërkonte të bënte Kosova për këtë “njohje”, e cila, pas njëqind e pesëdhjetë vjetësh, e ka mundur në luftë Serbinë. Por në këtë luftë të gjatë, e të fituar nga Kosova, ka një histori tragjike të popullit shqiptar të Kosovës, por edhe një heroikë të pashoqe të atyre shqiptarëve në rezistencën e tyre një-shekullore, me qëllimin e saktë, për t’i sjellë shqiptarët e Veriut në një shtet me një histori të madhe drejt një shqiptarizmi të ri, në konceptin e Shqipërisë së Bashkuar”, ka thënë Ngjela, për gazetën “Bota sot”.

Tutje, avokati i njohur shqiptar është i mendimit se historia e lavdishme e Kosovës nuk është përdorur mirë në bisedimet për njohjen nga Serbia.

“Kuptimi i kësaj historie nuk është përdorur mirë në bisedimet për njohjen e Kosovës nga Serbia. Gjë krejt pa vlere kjo se: Kosovën e njeh Amerika, e njeh Gjermania, dhe për atë vetë, nuk ka nevojë për ta njohur Serbia. Kështu siç është rrotulluar politika në këta dhjetë vjetet e fundit, ka pasur shumë pasivitet nga Prishtina. Pasi t’i shpall pavarësinë, dhe kë fituar luftën me pushtuesin tënd; asgjë nuk të ndal; dhe asgjë nuk mund t’i japësh ish pushtuesit. Gjithsesi, tani kjo ka kaluar, dhe depresioni psikologjik i politikës së Prishtinës, tani ka kaluar gjithashtu”, tha me tej ai.

Kurse, për presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, avokati Ngjela mendon se ky i fundit ka ardhur në pushtet, më të vetmin qëllim; për të shkatërruar përfundimisht çështjen shqiptare në Kosovë.

“Presidenti aktual i Serbisë është i implikuar në luftën antinjerëzorë kundër shqiptarëve të Kosovës, në vitet 1998-1999; ai nuk mund të kalojë në njohje të Kosovës, sepse ka ardhur në pushtet për të shkatërruar çështjen shqiptarë në Kosovë. Por, qëndrimi i politikës së Prishtinës, duhet të jetë pa asnjë lëshim, me psikologjinë e fitimtarit të luftës; dhe të vijojë politikën drejt shqiptarizmit në Ballkanin Perëndimor. Nuk e keni parë sesi, beogradasit shqiptarë të Prishtinës, thoshin para ca vitesh që: ”ne jemi kosovarë dhe jo shqiptarë”. Kjo ishte politika e Milosheviçit për antishqiptarizmin. Por, edhe kjo tani, u hodh në hendekun e pistë të historisë së shqiptarëve”, ka theksuar avokati.

Ndërsa, i pyetur se a mund të pritet që marrëveshja mes palëve të arrihet derisa Kurti është në krye të qeverisë, avokati Ngjela ka thënë se kryeministri aktual po luan fuqishëm në funksion të vendit, por që e paralajmëron se duhet të ketë kujdes me politikën amerikane.

“Albin Kurti, po luan fort në funksion të shtetit shqiptar të Kosovës. Kjo duhet të vijojë. Por, ai duhet të ketë shumë kujdes me politikën amerikane. Politika amerikane është e gjitha me Kosovën, se Kosova është krijimi i saj, me vlerë të gjatë historike, kurse mençuria e një kryeministri në Prishtinë dhe në Tiranë duhet ta mbajë këtë në involvimin e tij politik, për të garantuar historinë e ardhshme të botës shqiptare në Ballkanin Perëndimor, ku, tani, janë dy shtete: Shqipëria dhe Kosova – dhe, po del edhe një i trete: Maqedonia. Si mendoni ju, pa politikën amerikane, a mund të ndodhte kjo? Dhe, ndërkohë, a e keni parë rilindjen e aspiratës shqiptare në Malin e Zi? Kjo duhet të jetë politika jonë”, tha në fund, Spartak Ngjela, për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se takimi i kryeministrit të Kosovës Albin Kurti me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq i ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian do të përqendrohet, sipas zëdhënësit të BE-së Peter Stano në diskutimin mbi përparimin e deritashëm dhe hapat e mëtejmë të bisedimeve, që janë shumë të rëndësishme për ardhmërinë evropiane të Kosovës dhe të Serbisë.