Ngjela: Protesta e 6 dhjetorit anti-europiane, Berisha është në deficencë mendore

Avokati Spartak Ngjela, deklaroi se protesta e thirrur nga Sali Berisha më 6 dhjetor, është një lëvizje anti-evropiane. Në një intervistë televizive ditën e djeshme, Ngjela nënvizoi se nëse ndërkombëtarët do të kenë prova të reja për Berishën, ky i fundit do të jetë në rrezik.

“Lëvizje anti-europiane. Pse e bën? Nuk e di. Ose Saliu është në deficencë mendore, nuk kupton fare nga politika dhe nga interesi kombëtar. Ose është kundër interesit kombëtar, këtë e zgjidh koha. Mund të jetë mllef, inat, pse më bëtë. Ka edhe një arsye të tretë, doni që të bashkohemi me BE-në? I thotë Uashingtonit, se ai është aleati ynë kryesor, që do të na fusë në Bashkimin Evropian, ky thotë, unë jam këtu, po të dua nuk iu lë. Mund të jetë edhe kjo. Janë hipoteza, versione. Ata e dinë historinë, kam përshtypjen se këtë optikë kanë, që ky është në hall dhe nuk di si lëviz nga halli. Nëse kanë prova të tjera, ky është në rrezik, rrezikohet më shumë”, theksoi Ngjela.

Ndër të tjera, avokati Spartak Ngjela i ka cilësuar absurde deklaratat e Arben Krajës se SPAK ndodhet nën presion nga portalet. Sipas tij, kjo prokurori nuk po arrin pritshmëritë e kërkuara, madje sipas tij është blerë nga të korruptuarit. Ngjela deklaroi se SPAK-un e goditi politika amerikane dhe kjo nuk duhet diskutuar më gjatë.

Sipas tij kjo nuk është me rëndësi për aq kohë sa ambasadorja Yuri Kim përfaqëson qëndrimet e SHBA-së dhe praktikisht Joe Biden e ka bërë të qartë se SPAK nuk funksionon, është i blerë dhe i trembur. Për më tepër Ngjela sqaroi se Kraja duhej pyetur dhe për afatet e hetimeve.

“Nëse unë marr për të vërtetë atë që ka thënë ambasadorja amerikane dhe s’ka si të mos jetë e vërtetë, i gjithë ekuacioni merr atë rrjedhë”, u shpreh Ngjela. Si tha se amerikanët duan të luftojë korrupsionin në Shqipëri, pasi aleancën me vendin tonë e kanë të domosdoshme për zonën ku jemi vendosur.

Sipas avokatit, 97% e shqiptarëve janë pro-amerikanë dhe ky është një tjetër faktor që i shtyn SHBA-ta të kenë interes për vendin tonë.

“Çfarë e ka këtë qëllim politika amerikane kundër korrupsionit shqiptar? E keni vrarë mendjen? Pse është kaq i vendosur për t’i shkuar deri në fund? Aleancën me Shqipërinë e ka të domosdoshme për zonën. Të ka futur në NATO pa asnjë ushtar. Interesi ynë është shumë i madh dhe atyre i madh. Interesi i tyre nuk do ishte kaq i madh nëse nuk do t’i rezultonte që 97% e shqiptarëve janë pro-amerikanë”, u shpreh ai.