Në një prononcim dhwmw gazetwa për “Bota sot”, analisti politik, Gani Qarri ka shprehur shqetësimin e thellë për intensifikimin e aktiviteteve të shërbimeve të huaja të inteligjencës, veçanërisht të BIA-s serbe brenda territorit të Kosovës, duke theksuar përfshirjen aktive të bashkëpunëtorëve shqipfolës në këto veprimtari.
“Kohëve të fundit jemi dëshmitarë se Serbia, përmes bashkëpunëtorëve shqipfolës të shitur, është gjithnjë e më e pranishme në vendin tonë. Agjencia e Inteligjencës serbe – BIA – ka aktivizuar agjentët e saj në terren, të cilët përmes elementëve lokalë që kanë shitur shpirtin për dinarë serbë, po zhvillojnë një spiunazh aktiv dhe të mirëorganizuar, brenda vet Kosovës”, deklaron Qarri.
Ai përkujton rastin e arrestimit të dy spiunëve tw dyshuar shqipfolës nga Ferizaj, Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, të cilët sipas Qarrit, për më shumë se një dekadë ishin përfshirë në aktivitete të spiunazhit në favor të Serbisë.
“Njëri punonte në Doganën e Kosovës, ndërsa tjetri ishte hetues për krime të rënda në Policinë e Ferizajt. Dosja e tyre, që i lidh me Srgjan Rosiqin – zyrtar i lartë i BIA-s dhe ish-operativ serb në vitet e 90-ta – është e rëndë dhe voluminoze. Ata shërbyen për më shumë se 12 vjet për shërbimin sekret serb”, thekson Qarri.
Por Qarri paralajmëron se këto nuk janë raste të izoluara, duke përmendur arrestimin e fundit të Hysri Selimit nga Kaçaniku, një tjetër shqiptar i rekrutuar nga BIA, por kësaj here edhe me prirje islamiste ekstremiste.
“Arrestimi i Hysri Selimit më 6 maj 2025 është një sinjal alarmues për lidhjen midis ekstremizmit fetar dhe agjentëve të inteligjencës serbe. Ai jo vetëm që bashkëpunonte me BIA-n, por ka mbledhur informacione për zyrtarë të lartë politikë dhe për institucionet e sigurisë në Kosovë, duke i transmetuar ato tek BIA në Serbi. Ky individ është pajisur me pajisje të sofistikuara komunikimi dhe është paguar për shërbimet e tij, çka dëshmon seriozitetin e përfshirjes së tij në rrjete të huaja spiunazhi”, shton Qarri.
Analisti shprehet se këto raste dëshmojnë se Kosova është bërë një objektiv i drejtpërdrejtë i shërbimeve të inteligjencës serbe dhe ruse, të cilat po përdorin metoda të luftës hibride për të destabilizuar vendin.
“Kjo përfshin spiunazh klasik, ndërhyrje fetare, ndikim politik dhe sabotim institucional”, thotë ai.
Sipas Qarrit, objektiva të spiunazhit ruso-serb janë Ministria e Mbrojtjes, Shtabi i Përgjithshëm i FSK-së, institucionet e sigurisë dhe vet udhëheqja shtetërore e Republikës së Kosovës.
“Kohët e fundit, vihen re, përpjekjet e shpeshtuara edhe të Rusisë, nga Nishi në Serbi, ku ata e kanë qendrën e spiunazhit, me qëllim të vjedhjes së informacioneve strategjike manipulimin e gjendjes politike, sabotimin e institucioneve nё dёm të shtetit të Kosovës, derisa dyshohet se objekt sulmi i spiunazhit ushtarak ruso-serb, është veçanërisht ministria e mbrojtjes, shtabi i përgjithshëm i ushtrisë tonë dhe aftësitë e forcave ushtarake, strukturat mbrojtëse ushtarake e policore, ministritë dhe vet institucionet drejtuese të shtetit të Kosovës”, paralajmëron Qarri.
Ai i bën thirrje institucioneve të sigurisë dhe drejtësisë që të rrisin vigjilencën, të forcojnë strukturat e informimit dhe të ndërgjegjësojnë qytetarët për të raportuar çdo aktivitet të dyshimtë.
“Duke pasur parasysh se BIA-serbe përmes spiunëve shqipfolës brenda në Kosovë, po kryen mbledhjen dhe përpunimin e informacioneve mbi aspektin politik, ekonomik, të sigurisë dhe atë ushtarak nё vendin tonë, organet e sigurisë dhe të ligjit, duhet të reagojnë shpejt dhe sa më fuqishëm që të jetë e mundur, duke rritur e forcuar strukturat e informimit dhe ngritur e avancuar ndërgjegjësimin e qytetarë për sensibilizim sa më të madh të vigjilencës dhe informim të shpejtë, të çdo veprimtarie të dyshimtë spiunazhi tek organet kompetente të shtetit të Kosovës, në mënyrë që të bëhet e pamundur veprimtaria e shërbimeve të huaja të spiunazhit, në vendin tonë”, përfundon Qarri për “Bota sot”.