Është zhvilluar seanca e parë në Gjykatën e Arbitrazhit në Uashinghton për kontratën koncesionare të kompanisë gjermane “EMS APO”, e cila paditi shtetin shqiptar.
Padia kundër shtetit shqiptar nga “EMS Shipping & Trading GmbH (German)” që operon në Terminalin Lindor të Portit të Durrësit u regjistrua në Gjykatën e Arbitrazhit më 7 Prill 2023.
Referuar njoftimit në faqen zyrtare të Gjykatës së Arbitrazhit https://icsid.worldbank.org/cases/case-database/case-detail?CaseNo=ARB/23/9 më 18 Shtator 2023, tribunali ka mbajtur seancën e parë me video konferencë.
Fatura financiare e dëmshpërblimit e kërkuar në Arbitrazh për trajtim të pabarabartë dhe diskriminues nga kompania gjermane EMS APO që përpunon anijet e mallrave rifuxho në Durrës është në vlerën e 40 milionë eurove.
Drejtuesit e kompanisë më herët pohuan për Monitor se institucionet shqiptare penguan qëllimisht aktivitetin e tyre që nga 2020, kur nisën trajtimin preferencial për operatorin privat në Porto Romano, për të vijuar më pas zënien e hapësirës së portit të Durrësit për zhvillimin e projektit të “Durrës Yahts Marina”. Ndërsa nga autoritet shqiptare sipas EMS nuk pati asnjë komunikim se nëse do të transferohej aktiviteti i tyre në projektin e portit të ri tregtar. Edhe projekti për ndërtimin e portit të ri i prezantuar publikisht nuk parashikonte asnjë hapësirë për mallrat rifuxho sipas koncensionarit.
Objekti i kontratës koncesionare është menaxhimi, operimi dhe mirëmbajtja e Terminalit Lindor në Portin e Durrësit. Shteti shqiptar dhe EMS-Fehn-Group (d.m.th. EMS Shipping & Trading GmbH) kanë lidhur kontratën koncesionare në maj të vitit 2013.
Kontrata shtrihet për një periudhë 35-vjeçare nga viti 2013 deri në vitin 2048. EMS-Fehn-Group themeloi Operatorin Portual Shqiptar EMS Shpk. (EMS APO) si njësi operacionale në Durrës. Kontrata i jep EMS-Fehn-Group/EMS APO të drejtën për të përpunuar ngarkesat rifuxho, ngarkesat e përgjithshme dhe ngarkesat projektesh në Terminalin Lindor.
Pse arriti kontrata koncensionare deri në Arbitrazh?
Drejtues të grupit “EMS APO” deklaruan më herët për Monitor se për 2022 volumi i ngarkesave të përpunimit të mallrave rifuxho ranë 70% krahasuar me vitin paraardhës.
Ish-Ceo i grupit Manfred Mueller tha se rënia e volumit të punës fillimisht u nxit nga trajtimi preferencial i autoriteteve shqiptare për një operator portual në Porto Romano, si dhe nga pasiguritë në lidhje me të ardhmen e EMS APO për shkak të njoftimit se Porti i Durrësit do të shndërrohet së shpejti në një port argëtimi.
Pas ndryshimit të kontratës të Portit MBM (Multi Buoy Mooring) në 2020 nga Parlamenti në administrimin e “Kastrati Group” ku përveç shërbimit të përpunimit të ngarkesave dhe depozitimit të naftës në Porto Romano u shtua që “koncesionari mund të ngarkojë-shkarkojë dhe përpunojë në këtë port, anije që transportojnë mallra të tjera”, në Gusht 2021 qeveria nëpërmjet një vendimi lejoi zgjerimin e portit ekzistues në Porto Romano, duke i hapur rrugë projektit të ri.
Projekti i Durrës Yacht & Marina që përkon me zhvillimin e një porti jahtesh, ngritjen e 13 mijë apartamenteve dhe hoteleve do të zhvillohet në truallin e portit aktual të Durrësit, ka vënë në pikëpyetje vijueshmërinë e aktivitetit ekonomik të shumë operatorëve që përpunojnë mallrat në këtë port, por edhe të qindra qytetarëve durrsake të cilët janë të punësuar në këtë port.
Shqetësimi u ngrit edhe koncesionari EMS EPO të cilët deklaruan se qeveria shqiptare njoftoi transformimin e Portit të Durrësit në një port argëtimi pa u dhënë informacion të saktë dhe një grafik të qartë për ndërtimin e portit të ri publik në Porto Romano, si një vend alternativ për aktivitetin e Fehn-Group/EMS APO.
Zbatimi i projektit të ri përfshin zënien e 90% të truallit mbi të cilin operon kompania koncesionare. Për drejtuesit e kompanisë marrëveshja për “Durrës Yachts Marina” bie në kundërshtim pasi ka mbivendosje me kontratën koncesionare të EMS-Fehn-Group.
“Konflikti aktual me autoritetet shqiptare u kristalizua në vitin 2020, ndonëse problemet kishin disa vite më parë që po shfaqeshin. Ne në EMS-Fehn-Group kemi përshtypjen e fortë se autoritetet shqiptare kanë penguar qëllimisht aktivitetet e Operatorit Shqiptar Portual EMS (EMS APO’s) me qëllim që të nxjerrin kompaninë jashtë biznesit, duke i akorduar të drejta shtesë një operatori privat në Porto Romano, ashtu siç u përmend më lart, ndoshta për të mundësuar jo të drejtë mbylljen e aktiviteteve tregtare në Portin e Durrësit dhe veçanërisht duke filluar me zonën e Terminalit Lindor, në funksion të një porti argëtimi”, citohej Manfred Mueller në intervistën e tij për Monitor.
Më 29 Korrik 2023 Autoriteti Portual Durrës nisi ndërhyrjet për largimin e kompanisë gjermane në kundërshtim me kontratën koncesionare sipas drejtuesve të saj.
Shkak i ndërhyrjes ishte për t’i hapur rrugë zhvillimit të projektit të Durrës Yahts Marina, ku për fazën e parë të ndërtimit të godinave me apartamente, sipas drejtueseve të kompanisë koncesionare EMS APO do të shfrytëzohen 90% e hapësirës së terminalit lindor ku operon kompania gjermane.