Nishani: Mund të ketë përplasje të rrezikshme në Shqipëri

0

Degradimi i një ekuilibri në mes funksioneve të institucioneve që veprojnë në Shqipëri, shtetin shqiptar e ka quar drejt një krize të madhe institucional, politike dhe ekonomike, të cilën asnjëherë nuk e ka pasur deri tash. Ndërsa, çdo nënvlerësim i përgjegjësisë mund të sjellë situata të rrezikshme.

Kështu po vlerëson ish presidenti shqiptar, Bujar Nishani i cili në një intervistë ekskluzive ka folur për gjendjen aktuale në Shqipëri dhe përplasjet në mes presidentit, Ilir Meta dhe kryeministrit shqiptar, Edi Rama lidhur me zgjedhjet lokale.“Ajo që është më e rëndësishmja që unë do të thoja me shqetësim ka të bëjë me faktin e një krize shumë të madhe, një krizë e cila është e disa dimensioneve është një krizë e cila ka ardhur si akumulim i degradimit të ekuilibrave midis pushteteve dhe ekuilibrave midis institucioneve nga njëra anë e rrënimit që ditë pas ditshëm të mënyrës se si duhet të funksionojnë institucionet në një demokraci funksionale dhe të qasjes së njerëzve vendimmarrës në një raport institucione-opinion publik. Pra, sot për fatin e keq kemi mbërritur në një pikë kritike në Shqipëri, kriza e institucioneve, kriza politike, kriza ekonomike kanë kulmuar në atë që është ndoshta akumulim i së keqes që është humbja masive e shpresës dhe besimit të qytetarëve shqiptar e cila është evidente dhe e jetësuar tek largimi i qytetarëve shqiptar nga Shqipëria”, tha Nishani.

Sipas Nishanit, Shqipëria sot ka institucionet më të dobëta që kishte ndonjëherë, pasi që krimi i organizuar dhe korrupsioni janë bërë pjesë e politikës.

Për tejkalim të kësaj situate të krijuar në shtetin shqiptar ish-presidenti, Bujar Nishani kërkon që të merren më me seriozitet, pasi çdo neglizhencë mund të sjell një përplasje mes qytetarëve dhe politikës.

“Sot Shqipëria jo vetëm që i ka institucionet më të dobëta nga që kishte para disa vitesh, sot Shqipëria jo vetëm që është në një kolaps institucional, sot Shqipëria është një vend që nuk ka të dytë në botë pa institucionet kryesore të garantimit të së drejtës dhe bërjes të së drejtës, qoftë bërjes së Gjykatës Kushtetuese, qoftë Gjykata e Lartë. Sot Shqipëria në aspektin e sistemit politik po margjinalizohet në një sistem monopartiak. Korrupsioni dhe krimi i organizuar nuk janë thjesht vetëm fenomene shoqërore dhe sociale por janë të ndërthurura me politikën, me institucionet qendrore dhe ai që është humbës i madh është qytetari shqiptar. Kjo është një situatë të cilën duhet marrë dhe konsideruar me seriozitetin e vetë maksimal, pasi çdo neglizhencë e mëtejme, çdo nënvlerësim i përgjegjësisë mund ta acarojë situatën në atë që është më e rrezikshmja, më e papranueshmja dhe ndoshta më e pamenduara sot rreth një përplasje të fortë midis qytetarëve dhe atyre që ende përfaqësojnë institucionet nga pikëpamja formale në Shqipëri”, tha ai.

Sipas tij, integrimi i Shqipërisë në Bashkimi Evropian është bllokuar. Ndërkohë, fajtor kryesor për këtë e bënë politikën aktuale të Shqipërisë të udhëhequr nga Edi Rama.

Nishani ka shtuar se kjo klasë politike është duke e rrezikuar edhe lëvizjen e lirë të popullit shqiptar.

“Shqipëria është bllokuar në nivelin e përparimit të integrimit, le të themi procesi i integrimit evropian është futur në një ngërç në Shqipëri dhe natyrisht kjo ka përgjegjës, dhe përgjegjës është pa dyshim politika, sepse aty merren vendimmarrjet dhe brenda politikës askush nuk mund të justifikojë rolin parësor që ka mazhoranca, që kanë njerëzit që cilët kanë marrë përsipër për mandatet përfaqësuese për të marrë vendime në emër të qytetarëve shqiptarë. Prej tre vitesh tashmë Shqipëria gjykohet negativisht nga Këshilli Evropian dhe procesi i përparimit të Shqipërisë në rrugën e Evropës është i bllokuar. Prandaj personat që janë përgjegjës në bllokimin e drejtpërdrejt, në bllokimin e procesit të integrimit evropian dhe po rrezikojnë edhe atë që ka qenë arritja më e madhe e qytetarëve shqiptarë të cilët kanë qenë njerëzit dhe vendi më i izoluar në gjithë Ballkanin për vite më radhë, lëvizja e lirë nëpër Evropë po rrezikohet seriozisht për shkak të krimit të organizuar, për shkak të ndikimit që ka krimi i organizuar te politika, për shkak të intimidimit që krimi i organizuar bënë mbi krah të ndryshëm të politikës, për shkak të dominimit që krimi i organizuar ka marrë mbi institucionet dhe destabilitet në kuptimin, politik dhe institucional më të madh sesa kaq Shqipëria nuk ka pasur asnjëherë ”, tha Nishani.