Nisin zgjedhjet e brendshme në PDK

0

Në 19-vjetorin e themelimit të Partisë Demokratike të Kosovës, ka filluar procesi i ri zgjedhor brenda partisë.

Kryetari i PDK-së, Kadri Veseli në fjalimin e tij në Konventën e PDK-së ka thënë se nga ky proces do të varet se si do të jetë e ardhmja e Partisë Demokratike të Kosovës dhe kush do të vendosë për të ardhmen e vetë shtetit të Kosovës.

“Partinë Demokratike të Kosovës, këto zgjedhje do ta nxjerrin më të fortë, më të konsoliduar dhe më të gatshme për të marrë rolin vendimtar në sfidat e Dekadës së Re. Ne që kemi transformuar Kosovën, kemi fuqi ta transformojmë edhe veten. Prandaj, na duhet një proces i pastër demokratik zgjedhor”, ka deklaruar Veseli.

I pari i PDK-së ka thënë se rrugëtimi 19-vjeçar ka qenë me plot sfida dhe suksese të pamohueshme por kanë ndodhur edhe gabime.

“Po! Kemi bërë edhe gabime e lëshime. Kemi bërë gabime, të cilat e kanë dëmtuar moralin politik të partisë sonë, identitetin dhe qëllimet për të cilat është krijuar Partia Demokratike e Kosovës”, ka thënë Veseli.

Kryetari i PDK-së është shprehur se janë toleruar individë të caktuar që ta shfrytëzojnë PDK-në dhe ta dëmtojnë atë. Sipas Veselit shumë nga ta janë larguar duke e paraqitur veten si njerëz të mirë dhe viktima të partisë.

“Ndonëse ishin përfitues për veten dhe dëmtues për partinë dhe vendin. Të tillët, mirë kanë bërë që na janë larguar. Por, më mirë do të ishte sikur ne të ndaheshim me kohë prej tyre. Dhe nëse të tillët tentojnë të gjejnë strehim te ne, nuk do t’i tolerojmë”, ka theksuar Veseli.

Veseli më tej ka shtuar se armiku numër një i Kosovës, sot nuk është rreziku nga jashtë por është vetë dëmtimi që mund t’i bëhet shtetit tonë, lirisë, ekonomisë, nga fenomeni i korrupsionit.

“Ne do ta luftojmë korrupsionin në shumë fronte. Korrupsionin që dëmton perspektiven e familjeve tona. Dhe, korrupsionin tjetër, atë që korrupton idenë, shtetin dhe simbolet e Republikës së Kosovës”, ka potencuar ai.

Kadri Veseli ka deklaruar se Partia Demokratike e Kosovës beson se vetëm përmes orientimit djathtist të politikave ekonomike, liberalizimit të tregut, lehtësimeve të tatimeve dhe taksave për ndërmarrësit, vendi mund ta çlirojë potencialin e tij zhvillimor.

Ai ka thënë se do të vazhdojnë me reformat në sistemin e drejtësisë, me veprime konkrete dhe me partnerët ndërkombëtarë.

“Do të ketë të drejta dhe barabarësi para ligjit më shumë. Por, edhe jotolerancë dhe sanksione deri në konfiskim të pasurisë dhe privim të lirisë për ata që mendojnë të pasurohen në kurriz të Kosovës”, ka shtuar Veseli.

Më tej ka shtuar se janë duke punuar në Draft-ligjin e Integritetit, të njohur në publik si Veting, duke thënë se Vetingu është i pandalshëm, ashtu siç do të jetë i pandalshëm edhe dënimi final i krimeve të komunistëve jugosllavë në Kosovë.

Ai ka deklaruar se nuk duan konflikte e as luftë me Serbinë por duan fqinjësi të mirë.

“Lufta është e rëndë. Ne shqiptarët e dimë sa e rëndë është ajo. Kemi humbur shumë të dashur në luftë. Na ka kushtuar me humbje dhe shkatërrime të mëdha. Por, edhe pas luftës, për lirinë tonë, kemi pësuar. Njerëzit tanë të lirisë na janë burgosur. Sot, ende e kemi të burgosur Komandantin e Përgjithshëm, Sylejman Selimin. Ashtu si dhe një nga komandantët më të suksesshëm të luftës, Komandantit të Brigadës së krenarisë së UÇK-së “Adem Jashari”, Jahir Demakun”, ka shtuar Veseli.

I pari i PDK-së ka thënë se Kosova po paguan ende çmim për lirinë, ndërsa krimet ndaj popullit tonë nuk po ndëshkohen.