“Nisma Thurje” regjistrohet në gjykatë si subjekt politik

“Nisma Thurje” është regjistruar ditën e sotme në gjykatë si subjekt politik.

Deputetja Rudina Hajdari prezantoi nismën “Thurje” më 28 nëntor të vitit të kaluar, duke e konsideruar një fije shprese për të gjithë shqiptarët që duan të sjellin ndryshimin në vend. Në emisionin “Top Talk” Hajdari ka treguar financimin e partisë së re, ku tha se nisma ka hapur platforma të shumta dhe qytetarë të thjeshtë nga brenda apo jashtë vendit kontribuojnë për të.

Deputetja Rudina Hajdari ditën e djeshme informoi se do të kandidojë në qarkun e Elbasanit si anëtare e partisë “Nisma Thurje” për zgjedhjet e 25 prillit. Ajo u bëri thirrje të gjithë qytetarëve që t’i bashkohen nismës “Thurje”, duke theksuar se të gjithë duhet të rebelohen ndaj klasës së vjetër të krijuar gjithë këto vite me tre partitë e mëdha dhe të vijë një risi në vend.

Edhe Rigerta Loku, gruaja e cila në vitin 2017 i përloti të gjithë me fjalimin e saj në Kuvend vendosi t’i bashkohej Hajdarit për të kandiduar në zgjedhjet e ardhshme. Një ndër përfaqësuesit e tjerë të “Nismës Thurje “ është edhe eksperti i ekonomisë, Pano Soko dhe Endrit Shabani.