Nismë për shkurtimin e rrogave për deputetët “klloun” e “dembelë”!

Muhamer Pajaziti

Nga viti një vit po ulet cilësia e debateve në Parlamentin e Maqedonisë. Ka deputetë dembelë që marrin paga të majme dhe kurr nuk e ngrisin zërin e tyre për ndonjë çështje.

Një pjesë e madhe e tyre janë të panjohur për publikun, ndërsa disa shërbejnë vetëm si makineri votimi e dirigjuar nga qendrat e fuqisë politike.

Rrallë ka deputetë që votojnë, duke u thirrur në ndërgjegjën e tyre dhe në interes të qytetarëve që i përfaqësojnë. Është turp të shohim se si këta deputetë dhe si ky Parlament shpesh shëndrrohet në një teatër kukullash për fëmijë apo cirk klounësh.

Ky soj i deputetëve marrin rreth 1500 euro në muaj dhe nuk janë të aftë të sjellin ligje të mirëfillta për përmirësimin e standardit jetësor në vend.

Prandaj, do të ishte e rrugës që të filloj një nismë qytetare për zvogëlimin e pagave të tyre dhe heqjen e beneficione që ju mundëson mandati deputetit. T’iu heqim edhe imunitetin, duke mos i lënë të sillen si “kapadainjë”, derisa sa ta kuptojnë se janë shërbyesit tanë dhe se paguhen nga taksat tona.

Të propozojmë një rrogë minimale për këta deputetë dembelë e të pa aftë, e të mundësojmë rritje pagash për punonjësit e arsimit, shëndetësisë dhe sektorëve tjerë në fushën e shërbimeve, që rropaten duke punuar dhe më e keqja nuk e gëzojnë respektin dhe mirënjohjen nga shoqëria jonë.

T’ia kthejmë dinjitetin punonjësve të arsimit, shëndetësisë dhe sferave tjera, mos të lejojmë që një politikan të jetë më i respektuar në rrethinë tonë.

Ti dërgojmë një mesazh edhe kryeministrit që të gjej zgjidhje edhe më të mirë për arsimtarët, siç ka gjetur për veten dhe funksionarët tjerë që po zhvasin buxhetin e shtetit, pa bërë asnjë punë dhe duke mbytur perspektivën e rinisë tonë që po e braktisë vendin. Në fund të fundit mësuesit janë profesioni që i krijon të gjitha profesionet tjera.

Të krijojmë kushte edhe për mjekët që po kujdesin për shëndetin tonë, të krijojmë kushte për të gjithë punëtorë që punojnë me djersë dhe mund, sepse e kemi obligim ti mësojmë të rinjtë se çdo njeri vlenë dhe se puna nuk është nënçmim.

Ndërkaq, ju lutem të mos keni respekt për deputetë, ministra, prokurorë e gjyqtarë të korruptuar deri në fyt. Këtu duhet të përjashtojmë një pakicë, që vërtetë angazhohen për qëllimin dhe misionin që janë zgjedhur. (INA)