Një fundjavë – 70 fluturime!

Enver Robelli

Mes Zvicrës dhe Kosovës aktualisht është vendosur një urë ajrore. Mediat zvicerane shkruajnë për një “Luftbrücke”, pra një urë ajrore. Gjatë fundjavës nga Zvicra në Kosovë janë realizuar 70 fluturime: 45 nga Baseli, 19 nga Zürichu, 6 nga Gjeneva. Kompania zvicerane Edelweis po fluturon në Prishtinë me avionin Airbus A340, e pazakonshme për fluturimet ndërkontinentale. Pjesë e “urës ajrore” janë: Alk Airlines, Chair, Easyjet, ETF Airways, Enter Air, Eurowings, GP Aviation, Helvetic Airways, Heston, Malta Med Air, Swiss dhe Wizz Air.

Përveç këtyre 70 fluturimeve duhet pasur parasysh se shqiptarët nga Zvicra fluturojnë edhe për në Shkup, Ohër, Nish, Podgoricë, Tiranë, Kukës. Me gjasë fundjavën që shkoi mbi 100 avionë me shqiptarë kanë aterruar në Ballkan. Pastaj: mijëra e mijëra që vijnë me vetura.

Për ekonominë e Kosovës kjo dyndje mërgimtarësh është lajm fantastik. Lajm jo aq i mirë është se me këtë dyndje mund të përhapet edhe më shumë virusi që po e mban peng botën qe më shumë se një vit. Për fat të keq ka një shkujdesje totale sa i përket rrezikut. Maska? Distancë? U harruan. Çmimi paguhet në vjeshtë. Më së largu. Andaj: mbajeni distancën, vendosni maskën! Dhe … ah, mos shitni mend me Porsche e poshtërsi të tjera nëpër Kosovë dhe viset e tjera shqiptare. Jeni në vendin tuaj, por jeni edhe pak mysafirë. Silluni si sojli dhe jo si sojsëz! Edhe një gjë: mos u sillni si ata kosovarët idiotë të Zvicrës që në rrugën te Vlora fluturuan me 225 km/h.