Sunaj Raimi
Të dashur Prindër të rinj, ka ardhur një kohë shumë e vështirë për Juve dhe fëmijët tuaj, sepse fëmijët pa fajin e tyre çdo ditë po huajësohen nga bota e tyre fëmijërore, e pabrenguar.
Ata po i nënshtrohen një ‘jetese teknologjike’, që në vend të lojërave tradicionale nëpër lagje, luajnë lojëra në celularë të cilat ua prishin mendjen e trupin. Fëmijët e tillë, përveç se do të mbeten skllevër të smart telefonave, ata do të bëhen edhe njerëz me shpirtë të zbrazët, të ftohtë për familjen dhe shoqërinë ku jetojnë.
Andaj, ju këshilloj që në vend se të dilni të pini kafe në kafenetë me kënde fëmijësh, merreni kafenë apo çajin me vete dhe nxirrni fëmijët tuaj nga kafazet e quajtur ‘kënde për fëmijë’. Lerini fëmijët tuaj të fluturojnë lirshëm me krahët e lumturisë fëmijërore, lerini të lodhen në natyrë duke vrapuar, lerini të luajnë me dhé e zallë, lerini ta shijojnë kënaqësinë e shkeljes së baltës, lerini gjatë lojës t’i shohin përparësitë dhe mangësitë me fëmijët tjerë.
Lerini të rriten me ritmet e natyrës, sepse kështu do të piqen për t’u përballur me befasitë e jetës. Lerini t’i edukojë ata edhe Nëna Natyrë, e cila përmes energjisë së saj enigmatike, fëmijët i mbronë nga ankthi e autizmi. Qëndrimi dhe lozja në natyrë e pengon shndërrimin e fëmijëve në viktima të aseteve teknologjike, duke i bërë ata qenie të lumtura për veten dhe prindërit e tyre, të cilët në këtë mënyrë do të kenë fëmijë më të shëndoshë dhe më të aftë për jetë.